Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova mund të vazhdojë të funksionojë pa njohjen nga Serbia dhe se Qeveria që ai udhëheq nuk pranon të paguajë as me territor e as me funksionalitet të shtetit për ta fituar këtë njohje.
Në një intervistë për “europeanwesternbalkans”, Kurti ka thënë se megjithatë do të ishte mirë që Serbia ta njohë Kosovën.
“Sigurisht se do të preferoja që Serbia ta njohë Kosovën, por nëse nuk e bën këtë, duhet të jetojmë pa atë njohje. Nuk jam duke planifikuar ta zëvendësoj varësinë e kaluar të Kosovës nga Serbia me varësinë e re të Kosovës nga njohja e Serbisë për shtetin tonë të pavarur. Për 13 vjet deri tash, kemi jetuar pa njohjen nga Serbia. Do të ishte mirë të na njohë, por nuk do të paguajmë për këtë, as me territor e as me funksionalitet të shtetit tonë. Kosova është e pavarur. E kanë njohur 26 nga 30 shtetet e NATO-s, 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së. Rusia e Kina jo, por SHBA-ja, Franca e Britania e Madhe në Këshill të Sigurimit po. Duhet të ecim përpara”, ka thënë ai.





