Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në darkën zyrtare të shtruar nga presidenti i Republikës së Armenisë, Vahagn Khachaturyan, për liderët pjesëmarrës në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Jerevan.
Në pritjen zyrtare, kryeministri në detyrë Kurti u mirëprit nga kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, si dhe nga kryetari i Kuvendit të Armenisë, Alen Simonyan.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në vijim të mbrëmjes, ai bashkëbisedoi me liderë dhe përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse, ku u shkëmbyen ide, pikëpamje dhe qëndrime të ndryshme mbi temat kryesore të agjendës së sesionit të tetë të EPC-së, përfshirë zhvillimet në kontinentin evropian dhe përtej tij, si dhe çështje me interes të përbashkët për bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar.
Siç bëhet e ditur, gjatë mbrëmjes, kryeministri në detyrë Kurti bisedoi me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, presidentin e Këshillit të BE, Antonio Costa, presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, presidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović, kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun Sinirlioğlu, kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora, kryesuesin e Presidencës së BeH, Denis Bećirović, kryeministren e Lihtenshtajnit, Brigitte Haas dhe liderë të tjerë evropianë.