Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, kanë udhëtuar mbrëmë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu është bërë e ditur nga një njoftim i Zyrës së Kryeministrit.
Sipas njoftimit, Kurti pritet të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet sonte në orën 21:00 sipas orës lokale të Kosovës.
Kjo vizitë po ndodhë disa ditë pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, kishte deklaruar se SHBA e kundërshtojnë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë Euro.
Ai ishte shqetësuar se Kosova mund të përballet me tensione të reja në veri.
Takimi i fundit që Kurti ka zhvilluar në ShBA ka qenë në vitin 2022, ku qëndroi rreth 20 ditë.