Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Rexha, në 26-vjetorin e vrasjes së tij, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e tij në luftën çlirimtare dhe në periudhën e pasluftës.
Kurti ka theksuar se në ditët më të vështira për Kosovën, komandant Drini iu bashkua UÇK-së si epror i shkolluar ushtarak dhe udhëheqës i Zonës Operative të Pashtrikut. Sipas tij, Rexha kujtohet veçanërisht si hartuesi dhe realizuesi i planit për çlirimin e qytetit të Prizren me rrethinë.
Në mesazhin e tij, Kurti ka nënvizuar se kontributi i komandant Drinit nuk përfundoi me luftën, pasi ai vazhdoi angazhimin për ndërtimin e institucioneve të para të vendit dhe për forcimin e rendit e paqes në Kosovë.
“Qytetarët e kujtojnë si mikun e tyre në kohë vështirësish, si njeri të rendit dhe paqes, profesionist në çdo detyrë dhe diplomat që përfaqësoi qytetarët para administratës ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e Kurtit.
Kryeministri në detyrë shtoi se bujaria, dinjiteti dhe karakteri i komandant Drinit mbeten simbol i shpresës së qytetarëve për rindërtimin e Kosovës pas luftës çlirimtare.