Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar rreth rastit të rëndë të vrasjes makabre të 18-vjeçares, e cila u dërgua dhe u la e vdekur në emergjencën e këtij qyteti dje.
Kurti thotë se Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur teksa kërkon që të ndalet dhuna dhe të edukohen meshkujt se dhuna nuk është gjuhë e pranueshme komunikimi.
“Një 18 vjeçareje dje iu ndalën përgjithmonë dëshirat dhe ëndrrat. Ajo nuk e humbi jetën në aksident trafiku apo konflikt lufte. Jeta e saj u shua dhunshëm në mjedisin ku çdo njëri nga ne duhet të ndihet i dashur, i respektuar e mbi të gjitha i mbrojtur. Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur. Na duhet angazhim maksimal i institucioneve dhe çdo njërit nga ne për të respektuar te drejtën për të gëzuar jetën, për ta jetuar atë dinjitetshëm dhe për të realizuar aspiratat legjitime”.Nëna dhe baballarë, vëllezër dhe motra, mësues dhe mësuese, zyrtarë të rendit dhe të mbrojtjes së ligjit, qytetarë dhe qytetare të Kosovës, Ta ndalim dhunën ndaj grave, t’i edukojmë bijtë e vëllezërit tanë se dhuna nuk është gjuhë e pranueshme komunikimi, se dhuna është turp që sjellë tragjedi dhe se është e dënueshme me ligj”.
Kryeministri mes tjerash ka kërkuar nga organet e rendit dhe hetuesisë që ta vënë para drejtësisë sa më shpejt vrasësin e dyshuar teksa u bën thirrje të gjitha vajzave dhe grave që të lajmërojnë në polici rastet e dhunës.
“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që ta vënë vrasësin e dyshuar të Marigonës sa më shpejtë para drejtësisë. U bëj thirrje të gjitha nënave, bashkëshorteve, motrave e vajzave, që të lajmërojnë në polici rastet e dhunës, si edhe mosveprimin institucional për rastet e lajmëruara. Mos heshtni! Ne nuk mund të jemi spektatorë ndaj të ardhmes sonë. Kemi obligim moral, kushtetues, institucional që të mbrojmë jetën dhe dinjitetin e secilës viktimë të dhunës në familje” ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.