Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot një e-mail, kryetarit të Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Bajram Zejnullahu, anëtarëve të këtij bordi dhe drejtorit menaxhues, Valon Tolaj.
U ka kërkuar që deri në komunikimin e radhës të mos marrin vendime që kanë të bëjnë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore.
“Jam njoftuar që sot po mbahet mbledhja e 147-të e Bordit… Pas shqyrtimit të agjendës që keni për mbledhjen e sotme, më poshtë ju lutem gjeni kërkesën time urgjente”, thuhet në letrën e Kurtit, shkruan Indeksonline.
Kryeministri kërkon nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) që të pezullojë deri në komunikimin e ardhshëm çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore, siç janë edhe qiradhëniet apo shitjet pa tenderë publikë.





