Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm dhe ka interesim për një bashkëpunim me opozitën por që a është kjo reciproke, thotë se mbetet të shihet në muajin shkurt, por thekson se duhet të shihet në Kuvend nëse ka atmosferë për një raport të ri Qeveri- opozitë.
Kurti para mediave gjatë një vizite që pati në Odën e Mjekëve të Kosovës, tha se është takuar dhe me presidenten, por nënvizon se para procesit të zgjedhjes së presidentit duhet fillimisht të kalohen tre hapa të tjerë.
“Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–Opozitë. Unë nuk mund ta them këtë paraprakisht, por pa dyshim muaji shkurt është muaji që do të na tregojë a do të mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona. Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë; nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita”, tha ai.





