Kryeministri Albin Kurti ka uruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për fitoren e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura sot një vit.
“3 nëntor 2020 ishte një ditë historike jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për të gjithë botën. Amerikanët votuan për ndryshim. Qytetarët e ShBA-së, aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, zgjodhën Joe Biden si presidentin e tyre të 46-të. Sigurisht, z. Biden, edhe atëherë, nuk ka qenë i panjohur për ne: për dekada me radhë, si senator e pastaj si zëvendëspresident, Joe Biden ka qenë ndër avokuesit më të zëshëm dhe më të zellshëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, e sidomos të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Millosheviqit. Është fat i mirë i Republikës së Kosovës, pra, që, si president i aleatit më të rëndësishëm të shtetit tonë, është zgjedhur miku ynë i provuar për vite me radhë”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
“Megjithatë, për vendin tonë, rëndësia dhe domethënia e zgjedhjes së presidentit Biden, s’ka qenë vetëm për shkak të avokimit të tij për të drejtat tona në të kaluarën, por edhe për atë që ka premtuar dhe simbolizuar fitorja e tij për të ardhmen. Përkatësisht, fitorja e presidentit Biden i dëshmoi të gjithë botës se demokracia më e vjetër në botë vazhdonte t’u qëndronte besnike disa prej zakoneve më të rëndësishme të çdo shoqërie demokratike: sundimi i ligjit kundër politikanëve me synime diktatoriale, luftimi i krimit dhe korrupsionit në të gjitha format e tyre dhe, mbi të gjitha, respektimi i vullnetit të qytetarëve, të shprehur përmes zgjedhjeve të lira e të drejta. Me fitoren e presidentit Biden, këto vlera i janë rikthyer jo vetëm vetë ShBA-së, por edhe politikës së jashtme të saj, duke përfshirë në veçanti marrëdhëniet me Republikën e Kosovës”, thuhet në shkrimin e Kurtit.





