lIsh-deputeti dhe nënkryetari i Partia Demokratike e Kosovës në Prizren, Kujtim Gashi, ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një reagimi publik, Gashi tha se vendimi i tij vjen pas zhvillimeve dhe zhgënjimit të krijuar pas zgjedhjeve të fundit në Prizren, për të cilat ai vlerësoi se kanë lënë pikëpyetje mbi drejtësinë e procesit.
Ai theksoi se politika për të nuk ka qenë asnjëherë vetëm pozitë apo ambicie personale, por marrëdhënie me qytetarët dhe përgjegjësi ndaj mbështetësve të tij.
“Kam ndjerë se vendimi më i drejtë është të bëj një hap pas nga gara, por jo nga angazhimi”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se nuk po largohet dhe as nuk po dorëzohet, por do të vazhdojë të kontribuojë në forma të tjera.
Gashi pranoi se periudha e fundit ka qenë emocionalisht e rëndë për të, por falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe besimin e treguar.
Ai bëri të ditur se do të vazhdojë të jetë pranë kandidatëve, aktivistëve dhe qytetarëve që besojnë se Prizreni dhe Kosova meritojnë më shumë drejtësi, dinjitet dhe shpresë.
Në fund të mesazhit të tij, Gashi ritheksoi se përkushtimi i tij ndaj Prizrenit, Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës mbetet i palëkundur.