Mohammed Kudus u shfaq në skenën globale me dy gola në Kupën e Botës të hënën, për të treguar se pse është një nga lojtarët e rinj më të lakmuar në futboll. Mesfushori sulmues shënoi dy gola, duke përfshirë edhe atë të fitores, në triumfin dramatik të Ganës, 3:2, ndaj Koresë së Jugut në Katar. 22-vjeçari, i cili është pjesë e Ajaxit, pothuajse i vetëm shpëtoi Ganën në Kupën e Botës, kur realizoi golin e fitores në minutën e 68-të. Ai golin e parë e kishte shënuar me goditje me kokë dhe pas ndeshjes tifozët e Ganës e kanë brohoritur emrin e Kudusit në stadium.
Kudus ka shënuar shtatë herë në 20 paraqitje për vendin e tij. Debutoi tre vjet më parë. Mbetet për t’u parë nëse Gana do të avancojë nga faza e grupeve. Të premten do të luajë duelin e fundit ndaj Uruguait në kuadër të Grupit H.
Pavarësisht se çfarë do të bëjë në këtë përballje, Kudus duket se do të shkojë larg sapo të përfundojë Kupa e Botës. Kapiteni i Ganës, Andre Ayew, ngriti supet dhe buzëqeshi kur u pyet se sa i impresionuar kishte mbetur nga shoku i tij i ri i skuadrës.
“Aspak i impresionuar”, tha sulmuesi 32-vjeçar. “Është normale, është Kudus. Ai ka një të ardhme të ndritur para. Ne e dimë këtë, unë e di këtë, Gana e di tani, bota do ta dijë. Do ta shihni, më shumë do të vijnë nga djaloshi im”.
Jordan Ayew i Crystal Palace, vëllai i Andret, bëri krosimin për goditjen me kokë të Kudusit në pjesën e parë. Ai tha se Kudus po shkëlqen në Katar.
“Shpresoj se ai mund të vazhdojë të shkëlqejë, sepse ka një të ardhme vërtet të ndritur”, tha 31-vjeçari.
Kudus shkroi një pjesë të historisë pasi u bë ganezi i parë që shënoi dy gola në një ndeshje të Kupës së Botës.
“Ai është një personazh i mirë”, tha trajneri Otto Addo. “Ai është një djalë shumë i mirë dhe në lojën një kundër një është i shpejtë. Ai ka inteligjencë shumë të mirë të lojës. Ai duhet të punojë më shumë në mbrojtje, kjo është e sigurt, por është në rrugën e duhur për të qenë një lojtar i madh”.
Disa nga klubet më të mëdha evropiane, mes tyre Milani, Borussia Dortmundi dhe Liverpooli, janë lidhur me një transferim të Kudusit vitin tjetër. Huazimi i Kudusit para fillimit të këtij sezoni tek Evertoni dështoi për shkak se Ajaxi nuk pranoi marrëveshjen e ekipit nga Anglia. Kishte lëvdata rreth tij pasi Gana e mundi Korenë e Jugut, por lojtari i ndeshjes, Kudus, dukej se ishte njeriu më i qeshur midis 44.000 të pranishmëve në stadiumin “Education City”.
Kudus ishte ende duke luajtur për skuadrën e të rinjve të Ajaxit vitin e kaluar, përpara se të ndikonte në skenën elitare me katër gola në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Ai ka shënuar 15 gola në 63 paraqitje për klubin nga Holanda dhe gjithashtu ka regjistruar gjashtë asistime. Kudusit sigurisht që nuk i mungon besimi.
i kënaqur me atë që kam treguar deri më tani, por besoj se ky është vetëm fillimi. Mund të jem shumë më i mirë dhe do të tentoj këtë ta dëshmojë në ndeshjen vendimtare”, tha Kudus.
Kudus nuk i pranoi meritat për dy golat që i realizoi në fitoren ndaj Koresë së Jugut. Të martën tha se fokusi i ekipit ganez është dueli me Uruguain. Ai insistoi se duhet fituar kjo ndeshje për të avancuar nga faza e grupeve.
“E gjithë skuadra luajti rolin në fitoren e fundit dhe unë nuk jam më i merituari për atë fitore. Ne të gjithë u angazhuam dhe tani kemi një rast unik për të kaluar nga faza e grupeve. Duhet patjetër ta mposhtim Uruguain, pasi dëshira ime është të paraqitem edhe më shumë në këtë Botëror”, shtoi Kudus.