Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana ka deklaruar se situata me zjarret në Kukës është përmirësuar me ndërhyrjen e forcave të Kosovës.
Në një deklaratë për mediat nga Kukësi, Kuçana tha se të gjithë ato lajmë që kanë raportuar se është ndërprerë qarkullimi i mjeteve në tunelin e Kalimashit, duhet të ‘anulohen’, pasi kjo gjë nuk është e vërtetë.
I pyetur se përse nuk u ndërhy më herët në këtë zonë, Kuçana tha se era e fortë ua ka vështirësuar punën forcave të zjarrfikësve.
“Sot situata është pak më e qetë se dje. Dje ishte kritike në hyrje të Kalimashit. Falë punës së vazhdueshme të strukturave, u bë e mundur që të shuhet zjarri dhe të anulohen ato lajme të rreme se qarkullimi i mjeteve është ndërprerë…Në këtë tunel në asnjë moment nuk është ndaluar qarkullimi. Bashkë me mjetet ajrore, është një helikopter që tashmë ka bërë nëntë rrugë, mbrëmë kanë ardhur edhe forca nga Kosova, 66 efektivë e zjarrfikëse dhe sot janë futur në operacion. Duhet të kemi parasysh se ka qenë një erë e fuqishme që ka shpërndarë zjarrin, ka ndihmuar në përhapje. Sapo shuaje një vatër, ktheje kurrizin për të shkuar tek vatra tjetër dhe ajo që sapo kishe fikur, ishte ndezur sërish…banorët janë të dëgjueshëm të gjithë,”- tha Kuçana ndër të tjera.