Një përplasje e fortë institucionale ka shpërthyer mes Gjykatës Supreme dhe Qeverisë së Kosovës, pas vendimit për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Në një reagim zyrtar të datës 21 prill 2026, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka shprehur shqetësim serioz për vendimin e Qeverisë nr. 24/11, të marrë një ditë më parë, i cili parasheh zëvendësimin e Komisionit ekzistues me një përbërje të re.
Ngjarja ka ndodhur pas arsyetimit të Qeverisë se ky hap po ndërmerret për shkak të mungesës së transparencës dhe ankesave ndaj Komisionit aktual.
Por, sipas kryetarit të Supremes, kjo qasje është e gabuar dhe e pabazuar.
Ai thekson se çdo vendimmarrje duhet të mbështetet në fakte të verifikuara dhe respektim të kompetencave ligjore, duke e konsideruar të papranueshme që përgjegjësia për një proces administrativ t’i faturohet Komisionit, në një kohë kur, sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përmbushë obligimet e saj ligjore për organizimin e provimit.
Kryetari i Supremes thotë se e cilëson vendimin për ndryshimin e Komisionit si “jo ligjor dhe kundërkushtetues”, duke shtuar se arsyet e dhëna nga Ministria e Drejtësisë janë “absurde dhe jo të vërteta”.
Sipas tij, problemi i vetëm që është ngritur nga Ministria ka qenë kalueshmëria e ulët e kandidatëve, ndërsa Komisioni ka refuzuar të ulë standardet e vlerësimit.
“Ka qenë e papranueshme që Komisioni të kthehet në instrument në dorën e Ministrisë së Drejtësisë” – thuhet në reagim.
Ai shton se emërimi i një Komisioni të ri, pa përfunduar mandati i atij ekzistues, nuk mund të interpretohet ndryshe përveç si ndërhyrje në institucionet e pavarura dhe si pjesë e një tendence më të gjerë të ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë.
Në fund, kryetari i Gjykatës Supreme thekson se integriteti dhe pavarësia nuk janë parime formale, por obligime që duhet të zbatohen në praktikë, duke riafirmuar përkushtimin për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Rasti ka hapur një debat të ri për raportet mes pushteteve dhe kufijtë e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë.