Kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, u ka dëshiruar mirëseardhje bashkatdhetarëve, teksa ka bërë të ditur se si komunë kanë bërë përgatitjet e nevojshme për t’i mirëpritur.
“Të dashur bashkatdhetarë, në emër të qytetarëve të komunës së Dragashit dhe në emrin tim personal, ju dëshiroj mirëseardhje të përzemërt në vendlindjen tuaj, në tokën tuaj të dashur që gjithmonë e mbani në zemër, pa marrë parasysh sa larg jeni. Kontributi juaj i vazhdueshëm për vendëlindjen është i pazëvendësueshëm. Remitencat, investimet, përkrahja materiale dhe morale që ju jepni janë shtyllë e fortë e mbështetjes për familjet tuaja dhe për gjithë popullatën dhe ekonomin e komunës sonë. Ne jemi thellësisht mirënjohës për gjithçka që bëni për ne”, ka shkruar Xheladini.
Ai, tutje, ka radhitur masat dhe aktivitetet që kanë ndërmarrë si komunë për këtë sezon veror.
“Si pushtet lokal, kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për t’iu mirëpritur siç e meritoni. Disa nga masat dhe aktivitetet që kemi ndërmarrë për këtë sezon veror përfshijnë:
- Parkime falas në oborret e shkollave,
- Vënien në funksion të rrugës unazore, në qytezën e Dragashit,
- Shtimin e stafit në shërbimin emergjent, pran QKMF në Dragash,
- Zgjatjen e orarit të shërbimeve komunale, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë kohë në dispozicion për të përfunduar punët e tyre,
- Organizimin e aktiviteteve kulturore e argëtuese,
- Festivali Ballkanik “Opoja Vallëzon” më 24, 25 dhe 26 korrik në fshatin Bresanë,
- Manifestim kulturore në Fshatin Bellobrad, më 4 gusht në ora 20 si dhe turneu i futbollit për nderë të mërgatës. 28, 29, 30 korrik,
- Manifestim kulturor te liqeni i Breznës,
- Në pjesën e Gorës, do të organizohen gjithashtu katër manifestime kulturore, që do t’i japin gjallëri pjesës ku jeton komuniteti jo shumicë.
Të dashur mërgimtarë, ju jeni ura jonë lidhëse me botën dhe dëshmia më e fortë se vendlindja nuk harrohet kurrë”, përfundon kryetari Xheladini.