Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltari politik, Donik Sallova, po merr pjesë në punimet e Samitit Botëror në Seul të Koresë së Jugut të organizuar nga Universal Peace Federation.
Në një njoftim në Facebook, Kuvendi ka bërë të ditur se në samit po marrin pjesë me dhjetëra kryetarë parlamentesh nga e gjithë bota, si dhe figura të rëndësishme parlamentare.
Sipas këtij njoftimi, aktiviteti kryesor i samitit ishte themelimi i “Konferencës Ndërparlamentare të Kryetarëve të Kuvendit”, ku thuhet se Kosova bashkë me shumë parlamente u bë bashkëthemeluese e këtij mekanizmi.
“Kjo konferencë ndërparlamentare e kryetarëve do të shërbejë si platformë e nivelit të lartë e përkushtuar për të forcuar bashkëpunimin regjional dhe dialogun ndërmjet liderëve të legjislativit në botë. Mision do ta ketë avancimin e parimeve të ndërvarshmërisë, prosperitetit të përbashkët dhe përhapjen e vlerave të përbashkëta përmes diplomacisë parlamentare”, shkruan në njoftimin e Kuvendit.
Tutje, në njoftim është theksuar se kryetari Konjufca përveç pjesëmarrjes në themelimin e kësaj konference ndërparlamemtare, mori pjesë edhe në panele të ndryshme diskutimi nga ku paraqiti këndvështrimin e Kosovës kundrejt sfidave që po e ndryshojnë rendin botëror.
Konferenca do të mbyllë punimet nesër më 13 prill 2025.