LAJME

Kryenegociatori Zulfaj në Stokholm: Koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat në BE

Kryenegociatori Zulfaj në Stokholm: Koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat në BE
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Qershor 2026, 10:11

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një vizitë në Suedi, ku në qendër të takimeve me zyrtarë suedezë dhe institucione partnere ka qenë avancimi i procesit të integrimit evropian të Kosovës, me theks të veçantë në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit në Stokholm me ambasadorin Torbjörn Sohlström, Drejtor i Përgjithshëm dhe Shef i Departamentit për Çështje Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Zulfaj theksoi se Kosova ka bërë progres në agjendën e reformave dhe se ka ardhur koha për hapa të rinj në raport me BE-në.

“Z. Zulfaj theksoi progresin që Kosova ka bërë në rrugën e saj evropiane, duke nënvizuar se tani është koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat e anëtarësimit. Ai theksoi se pikërisht procesi i anëtarësimit është ai që sjell reformat e nevojshme për zhvillim dhe përparim të qëndrueshëm të vendit”- thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, kryenegociatori kosovar falënderoi Suedinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj si një nga pesë donatorët më të mëdhenj të vendit dhe si mbështetëse e integrimit evropian të Kosovës.

Po ashtu, zyra e tij ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA), Zulfaj diskutoi me Petra Burcher, Udhëheqëse e Njësisë për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, për progresin e Kosovës në zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së.

“Ai foli për progresin e Kosovës në zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së dhe prioritetet e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në BE”- thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, Zulfaj theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të rritur kapacitetet në zbatimin e reformave dhe për të shfrytëzuar sa më mirë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Vizita në Suedi përfshiu gjithashtu takime në Institutin Suedez dhe në Parlamentin suedez (Riksdag), ku u diskutua për mbështetjen suedeze ndaj Kosovës dhe perspektivën evropiane të vendit  – në këtë të fundit janë dy deputetë shqiptarë.

“Gjatë vizitës në Suedi, krahas takimeve që zhvillova në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) dhe Institutin Suedez, pata kënaqësinë të vizitoj edhe Riksdagun, Parlamentin e Suedisë, ku u takova edhe me dy deputetët nga Partia Socialdemokrate, znj. Aida Birinxhiku  dhe z. Arber Gashi”- ka shkruar Zulfaj.

Gjatë vizitës, Zulfaj tregoi se gjatë takimit me Kurt Bratteby, Drejtor i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare biseduan për mundësitë dhe sfidat në procesin e anëtarësimit dhe se si edhe shumë të rinj e profesionistë nga Kosova përfitojnë nga shkëmbimet, praktikat dhe programet për nëpunës civilë, në bashkëpunim me universitetet suedeze dhe institucionet kosovare.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika