Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Hannover Messe në Gjermani, i ka bërë thirrje mërgatës që të marrin pjesë në Regjistrimin e Popullsisë.
Kurti, përmes një video-mesazhi, i ka ofruar diasporës edhe ndihmë për t’u regjistruar.
Kurti ka thënë se rezultati i këtij regjistrimi do të diktojë 10-vjeçarin e ardhshëm.
“Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin online të diasporës. Është një proces i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë, që gjithsej duhet të zgjasë rreth 10 minuta. E përfitimet nga ky regjistrim janë të thella dhe rezultatet e tij diktojnë 10 vjeçarin e ardhshëm.
Diaspora është shtyllë qendore e shtetit dhe shoqërisë sonë. Ajo gjithashtu duhet të jetë shtyllë qendrore e qeverisjes së shtetit.
Andaj, të dashur bashkatdhetarë, regjistrohuni në ediaspora.rks-gov.net deri më 17 maj”, tha Kurti mes tjerash.
Mbi gjysmë milioni qytetarë rezidentë dhe rreth 36 për qind e të gjitha objekteve janë regjistruar në dy javët e para të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, njoftoi Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) të hënën.
Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media në Prishtinë se procesi është duke shkuar “ashtu siç është planifikuar” dhe “pa sfida madhore”.
“Deri më tani [21 prill] janë regjistruar 530.000 persona, si dhe mbi 36 për qind e objekteve në Kosovë. Po flasim për popullsinë rezidente në Kosovë. Stafi është stabilizuar këto ditë, ka filluar intervistat në mënyrë masive”, tha ai.