LAJME

“2 orë me ujë, 36 pa ujë” – Banorët e rrugës “Sefedin Laqi” protestojnë për mungesën e ujit

“2 orë me ujë, 36 pa ujë” – Banorët e rrugës “Sefedin Laqi” protestojnë për mungesën e ujit
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Shtator 2026, 14:43

Banorët e rrugës “Sefedin Laqi” në Prizren kanë ngritur shqetësimin për problemet e vazhdueshme me furnizimin me ujë të pijshëm, duke thënë se kjo gjendje po zgjat prej muajsh.

Sipas banorëve, furnizimi me ujë është tejet i kufizuar, ndërsa ata pretendojnë se në disa raste kanë ujë vetëm rreth dy orë, pas së cilave mund të kalojnë deri në 36 orë pa furnizim.

Për shkak të kësaj situate, banorët kanë zhvilluar sot një protestë para kompanisë Hidroregjioni Jugor, ku kanë kërkuar zgjidhje për problemin. Pas protestës, ata kanë zhvilluar edhe një takim me përgjegjësit e kompanisë.

Banorët thonë se gjatë takimit u është bërë e ditur se punimet për zgjidhjen e problemit pritet të përfundojnë deri të premten.

“Ka vite që kemi problem me furnizimin me ujë në këtë zonë. Kjo është shumë shqetësuese për ne”, shprehet njëri prej banorëve.

Sipas tyre, janë bërë disa ankesa dhe janë zhvilluar takime të vazhdueshme me përgjegjësit, por problemi ende nuk është zgjidhur.

Banorët kanë ngritur pikëpyetje edhe lidhur me arsyet e problemit, duke thënë se fillimisht u është komunikuar se bëhet fjalë për një defekt, ndërsa ata pretendojnë se problemi lidhet me ndërrimin e linjës së ujësjellësit dhe ndikimin që kjo ka pasur në furnizimin e banesave në këtë zonë.

Ata kanë paralajmëruar se do të protestojnë sërish nëse problemi nuk zgjidhet.

Në fund, banorët kanë apeluar tek institucionet dhe kompania përgjegjëse që të ndërmarrin masa sa më shpejt për normalizimin e furnizimit me ujë, duke theksuar se situata po u shkakton vështirësi të mëdha në jetën e përditshme.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika