LAJME

Ngritet aktakuzë në Prizren për keqpërdorim në tenderin për ngrohjen e sallës së baletit në ShM “Lorenc Antoni”

Ngritet aktakuzë në Prizren për keqpërdorim në tenderin për ngrohjen e sallës së baletit në ShM “Lorenc Antoni”
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Shtator 2026, 14:04

Prokuroria Themelore në Prizren njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Xh.K., në cilësinë e personit përgjegjës të personit juridik “E.I.” SH.P.K., si dhe ndaj personit juridik “E.I.” SH.P.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, më 10 dhjetor 2022, në Prizren, i pandehuri Xh.K., në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të kompanisë “E.I.” SH.P.K., me dashje ka shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, si dhe nuk ka zbatuar detyrimet e përcaktuara me kontratën për “Rregullimin e nxemjes qendrore në sallën e baletit në SHM “Lorenc Antoni”.

“I pandehuri Xh.K., ka përdorur materiale për ngrohjen qendrore në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara në kontratë, duke vendosur gypa të galvanizuar dhe të çelikut të zi, të materialit “inox”, në vend të vendosjes së gypave të bakrit, të cilët nuk janë në përputhje me paramasat dhe parallogaritë për kryerjen e punimeve të ngrohjes qendrore, si dhe me specifikimet për furnizimin dhe montimin e pjesëve dhe pajisjeve si në kontratë, me qëllim të përfitimit për vete, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit.” – thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas aktakuzës personi juridik “E.I.” SH.P.K., ka shkelur rregullat e prokurimit publik dhe nuk ka zbatuar detyrimet e kontratës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika