LAJME

Vaksinat kundër gripit pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor, IKShPK tregon arsyen e vonesës

Vaksinat kundër gripit pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor, IKShPK tregon arsyen e vonesës
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Shtator 2026, 16:31

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar qytetarët se vaksinat kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë në Republikën e Kosovës më 21 tetor 2026.

IKShPK ka thënë se këtë vit, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave kundër gripit është ndikuar nga ndryshimet në përbërjen e shtameve të rekomanduara për vaksinën e hemisferës veriore.

“Këto ndryshime kanë ndikuar në afatet e prodhimit dhe furnizimit në nivel global, si dhe në furnizimin e vendeve të rajonit, përfshirë Republikën e Kosovës, ku vaksinat pritet të arrijnë me 21 ditë vonesë nga afati i planifikuar”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

Për këtë, IKShPK ka theksuar se po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe pas pranimit të vaksinave, do t’i njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal.

“Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore.IKShPK falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet ndër të tjera.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika