KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka reaguar publikisht pas disa akuzave të ngritura për ndërprerjen e furnizimit me ujë në varrezat e qytetit.
Në reagimin e kësaj kompanie theksohet se pas kërkesës së qytetarëve, në prill të vitit 2024 është rikthyer furnizimi me ujë të pijshëm dhe sanoi të gjitha instalimet e nevojshme në varrezat e qyetit.
Kjo kompani bën të ditur se borxhi i akumuluar në emër të faturave të papaguara për ujin kishte arritur në vlerën mbi 17,000 €, ndërsa tani ka arritur shumën prej 32,972.59 €. Për këtë arsye, KRU “Hidroregjioni Jugor” janë shprehur se ishin të detyruar të ndërpresin furnizimin deri në zgjidhjen e problemit të obligimeve financiare.
“I nderuar z. Simitçi, dëshirojmë t’ju informojmë se KRU “Hidroregjioni Jugor”, në fillim të vitit të kaluar, konkretisht në prill të vitit 2024, pas kërkesës suaj dhe të shumicës së qytetarëve, riktheu furnizimin me ujë të pijshëm në varrezat e qytetit, duke kryer edhe sanimin e të gjitha instalimeve të nevojshme. Kjo iniciativë u bë e ditur përmes mediave dhe informimeve publike për qytetarët.
Sipas të dhënave tona nga prilli 2024, borxhi i akumuluar në emër të faturave të papaguara për ujin kishte arritur në mbi 17,000 €. Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit dhe nevojat e banorëve të qytetit të Prizrenit, vendosëm të rikthejmë furnizimin me ujë, duke shpresuar për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit financiar. Pas takimit tonë me përfaqësuesit e Eko Regjionit, morëm përgjigje të prerë se ata nuk marrin përgjegjësi për pagesën e faturave të ujit. Për fat të keq, edhe pas shprehjes së gatishmërisë sonë për të gjetur një zgjidhje, më 16 prill 2024 organizuam një takim të përbashkët me përfaqësues të Kuvendit Komunal. Deri në dhjetor të vitit 2024, nuk është paguar asnjë faturë për ujin e konsumuar. Deri më tani, borxhi i akumuluar ka arritur shumën prej 32,972.59 €. Për këtë arsye, jemi detyruar të ndërpresim furnizimin deri në zgjidhjen e problemit të obligimeve financiare. Është e papranueshme dhe joetike të fajësohet KRU “Hidroregjioni Jugor” si një institucion i papërgjegjshëm ose pa ndjenja”, shkruan në reagimin e KRU “Hidroregjioni Jugor”.