Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të krijojë kushte për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në veri.
Krasniqi ka bërë të ditur të premten se ka pasur një takim me kandidatët e partisë së tij për kryetar në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
“Bashkë me Taulant Kelmendin, kandidat për Mitrovicën e Veriut, Albulena Behluli-Hetemin, kandidate për Leposaviq, Izmir Zeqirin, kandidat për Zubin Potok dhe Ilir Pecin, kandidat për Zveçan, diskutuam për përgatitjet lidhur me këtë proces, situatën e tensionuar në veri dhe ndamë shqetësimin për sigurinë e të gjithë qytetarëve atje. Vetë vullneti i tyre i palëkundur për të kandiduar në këto zgjedhje, është akt patriotik dhe në shërbim të forcimit të demokracisë në Republikën e Kosovës. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet kompetente që të krijojnë kushte të favorshme për mbarëvajtjen e këtij procesi, që të jetë i sigurt, demokratik dhe i lirë!”, ka shkruar Krasniqi.
Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier dhe ai i Gjermanisë Jorn Rohde, kanë kërkuar që zgjedhjet e parapara të zhvillohen më 18 dhjetor në veri të shtyhen, me arsyetimin se nuk ka aktualisht kushte për zhvillimin e tyre.
Të martën, në veri të Kosovës pati shpërthime të njëpasnjëshme me granata dore dhe shok-bomba. Sulmet nisën pas mbërritjes së zyrtarëve zgjedhorë nëpër komisionet komunale zgjedhore në komunat veriore për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.