Dy ditë para se Kuvendi të shpërndahet në rast se nuk zgjidhet presidenti, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se janë gati për organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas afatit kushtetues do të duhej të mbaheshin më së voni më 7 qershor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se meqë në këtë vit nuk janë planifikuar zgjedhje, nuk është ndarë as buxhet për organizimin e tyre. Sipas tij, kostoja e përafërt do të jetë 10 milionë euro.
“Në rrethana të tilla, pra gjithmonë nëse do të kemi zgjedhje, KQZ-ja i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për mjetet që janë të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve. Ne nuk mund ta dimë aktualisht se sa mund të jetë kostoja e zgjedhjeve të mundshme, pasi aktualisht nuk kemi ndonjë planifikim. Një shumë e tillë duhet të miratohet nga KQZ-ja dhe kjo do të ndodhë vetëm në rast se do të kemi një proces zgjedhor”, ka thënë Elezi.





