Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, ka pritur në një vizitë pune homologun e tij nga Shqipëria, drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, të cilët riafirmuan përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit profesional, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe shkëmbimin e përvojave që synojnë përmirësimin e performancës institucionale.
Sipas një komunikate të ATK-së, vizita u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy administratave tatimore, me fokus shkëmbimin e përvojave profesionale, praktikave më të mira dhe avancimin e proceseve të administrimit tatimor.![]()
Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dy institucioneve diskutuan për çështje me rëndësi strategjike, përfshirë strategjinë e mbledhjes së të ardhurave, komunikimin me tatimpaguesit, procedurat e mbledhjes me forcë, menaxhimin e detyrimeve të papaguara, si dhe praktikat që ndikojnë në rritjen e përmbushjes së obligimeve tatimore dhe efikasitetit administrativ.





