LAJME

Kosova dhe Franca synojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik, në fokus investimet dhe Lojërat Mesdhetare 2030

Kosova dhe Franca synojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik, në fokus investimet dhe Lojërat Mesdhetare 2030
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Korrik 2026, 19:47

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Ministrit të Deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad, në Prishtinë është mbajtur një tryezë e rrumbullakët kushtuar prioriteteve zhvillimore të Kosovës dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Tryeza u drejtua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërsa morën pjesë zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), France Sport Expertise Group, si dhe përfaqësues të kompanive franceze.

Takimi u zhvillua pas nënshkrimit të pesë instrumenteve të reja të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës. Ato përfshijnë marrëveshjet për ekstradim dhe ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, Deklaratën e Synimit për themelimin e Komitetit Francë–Kosovë për Lojërat Mesdhetare, si dhe Marrëveshjen Administrative për zgjerimin e mësimdhënies së gjuhës frënge në Kosovë.

Gjatë diskutimit, ministrja Rizvanolli prezantoi prioritetet zhvillimore të Kosovës, duke vënë theksin te tranzicioni energjetik, investimet në energjinë diellore dhe të erës, modernizimi dhe digjitalizimi i rrjetit energjetik, si dhe zhvillimi i sistemeve të ngrohjes qendrore.

Ajo ftoi kompanitë franceze të rrisin investimet në Kosovë, veçanërisht në sektorët e teknologjisë së informacionit, prodhimit, tregtisë dhe infrastrukturës, duke theksuar se ekziston potencial i madh për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Nga ana tjetër, ministri francez Benjamin Haddad e cilësoi takimin si produktiv, duke theksuar se ai shënon fillimin e një faze të re në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe roli i Agjencisë Franceze për Zhvillim në mbështetjen e projekteve në energji, infrastrukturë dhe sport, si dhe kontributi i ekspertizës franceze në përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të nxitur investime të reja, me synim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët e Kosovës.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika