LAJME

Konjufca takoi raportuesin Terras, shprehu gatishmërinë e Kosovës për përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE

Konjufca takoi raportuesin Terras, shprehu gatishmërinë e Kosovës për përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Korrik 2026, 10:40

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot në takim eurodeputetin Riho Terras, raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për Kosovën.

Sipas njoftimit të MPJD-së, në takim u diskutua për zhvillimet politike në vend, formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Republikës së Kosovës.

Ministria njofton se zëvendëskryeministri Konjufca vlerësoi rolin e Parlamentit Evropian në mbështetjen e aspiratave evropiane të Kosovës dhe e falënderoi z. Terras për angazhimin e tij në raport me zhvillimet në vendin tonë.

Në këtë drejtim, siç bëhet e ditur, ai theksoi rëndësinë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të marrë vëmendjen e merituar, duke i hapur rrugë avancimit drejt statusit të vendit kandidat dhe negociatave për anëtarësim.

“Republika e Kosovës mbetet e angazhuar maksimalisht për avancimin e rrugës evropiane, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE.” – thuhet në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika