Përpjekje gjithëpërfshirëse për luftimin e dezinformimit u kërkua të mërkurën në konferencën “Demokracitë rezistente në epokën e informacionit”.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se dezinformatat për Kosovën vijnë më shumë nga Rusia dhe Serbia.
“Për Kosovën, kjo nuk është brengë e largët. Vazhdojmë të ballafaqohemi me fushata dezinformimi që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Serbia, të cilat përpiqen ta cenojnë shtetësinë tonë, ta keqpërfaqësojnë realitetin tonë edhe perceptimin vendor e ndërkombëtar. Këto sfida janë pjesë e një vazhdimësie më të gjerë që afekton reziliencën e demokracive në gjithë rajonin tonë. Në reagim ndaj kësaj, asnjë institucion i vetëm nuk mund të ofrojë përgjigje të plotë. Ndërtimi i reziliencës kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse e të mbështetur që bën bashkë institucionet publike, mediat e pavarura, shoqërinë civile dhe qytetarët. Në këtë drejtim, përvoja e vendeve nordike ofron udhëzime të rëndësishme në gjithë rajonin”, ka thënë ai.





