Komuna e Prizrenit përmes një shkrimi ka njoftuar se kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me OJQ ‘’Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve’’ për ofrimin e mundësisë së pjesëmarrjes në programin e mentorimit për fuqizim politik, për të rejat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Njoftimi i plotë:
Kryetari Shaqir Totaj nënshkroi sot Marrëveshje Bashkëpunimi me OJQ ‘’Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve’’ për ofrimin e mundësisë së pjesëmarrjes në programin e mentorimit për fuqizim politik, për të rejat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Qëllimi i programit të mentorimit për fuqizim politik është ngritja e shkathtësive politike dhe përgatitja profesionale e të rejave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për angazhim në sferën politike, program që synon të përfshijë gratë e reja të komuniteteve, të cilat kanë përfunduar shkollimin e mesëm të lartë apo edhe atë universitar dhe të cilat janë aktive në komunitet apo të angazhuara në parti politike.
Përmes programit te mentorimit, gjatë tre muajve të punës praktike, gratë e reja të komuniteteve do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi të reja profesionale, ta ngrisin vetëbesimin, ta përmirësojnë komunikimin dhe aftësitë ndër personale, të zhvillojnë aftësi udhëheqëse, organizative dhe të ndërtojnë rrjetin e tyre të kontakteve, për një të ardhme më premtuese në jetën e tyre politike.