NATO nuk do të lejojë vakum sigurie në Kosovë e Ballkan, pasi ky rajon ka rëndësi strategjike për Aleancën Veriatlantike.
Themelimi i xhandarmërisë së Kosovës është punë e kësaj të fundit, por nuk duhet të jetë “dyfishim të përpjekjeve”.
FSK po avancon – NATO e mbështet në kuadër të mandatit të saj fillestar për mbrojtje civile.
Këto janë disa nga qëndrimet që ka shfaqur komandanti i KFOR-it, gjeneral majori turk, Ozkan Ulutash, në një intervistë për KosovaPress.
Ai ka folur edhe për shumë çështje tjera që lidhen me sigurinë në Kosovë dhe mundësitë e anëtarësimit të saj në NATO.
Intervistën e plotë lexojeni më poshtë
KosovaPress: Si do ta vlerësonit situatën aktuale të sigurisë në Kosovë krahasuar me kohën kur morët për herë të parë komandën e KFOR-it?
Ulutash: Në përgjithësi, situata është e qetë, por ende ekzistojnë disa çështje të pazgjidhura që mund të kenë ndikim në siguri dhe, për këtë arsye, duhet të adresohen.
Mandati im i parë në krye të KFOR-it në vitin 2023 pasoi incidente serioze të sigurisë në veri të Kosovës, të cilat kishin ndodhur më herët gjatë atij viti, përfshirë sulmet e pajustifikuara dhe të papranueshme ndaj paqeruajtësve tanë në Zveçan. Si rezultat i këtyre zhvillimeve negative, KFOR-i u përforcua në masën më të madhe në më shumë se një dekadë, me dislokimin e afro një mijë trupave shtesë.
Që atëherë nuk kemi parë përsëritje të incidenteve me përmasa apo intensitet të ngjashëm. Megjithatë, ne mbetemi vigjilentë përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile në mbarë Kosovën. Ne monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet relevante që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal, ndërsa mbetemi plotësisht të përqendruar në zbatimin e misionit tonë, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.
Misioni ynë është të kontribuojmë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili sipas rolit të vet si reagues të sigurisë.
Me stabilizimin e situatës së sigurisë, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe gradualisht do të përshtatë nivelin aktual të forcave gjatë vitit të ardhshëm. Ky proces do të zhvillohet gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme nëse zhvillimet e sigurisë e bëjnë të nevojshme.
Që nga viti 1999, prania e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht në mënyrë që misioni të mbetet i aftë për të përmbushur detyrën dhe t’i përgjigjet zhvillimit të situatës së sigurisë.
KosovaPress: Cilat janë sfidat dhe kërcënimet kryesore të sigurisë që KFOR-i identifikon aktualisht në Kosovë?
Ulutash: Retorika nxitëse dhe përdorimi i vazhdueshëm i dezinformatave janë ndër shqetësimet tona, duke pasur parasysh ndikimin që ato mund të kenë në mjedisin e sigurisë. Për këtë arsye, KFOR-i mbetet vigjilent dhe i pozicionuar mirë në gjithë Kosovën.
KFOR-i do të vazhdojë të bëjë atë për të cilën është mandatuar. Megjithatë, dua ta bëj të qartë se rruga drejt një sigurie të qëndrueshme është politike, jo ushtarake.
Për këtë arsye, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në kuadër të përpjekjeve më të gjera të NATO-s për të mbështetur avancimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pikërisht ky dialog është korniza për adresimin e të gjitha çështjeve të mbetura pezull dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e të gjitha komuniteteve.
KosovaPress: Sa i qëndrueshëm është sot mjedisi i sigurisë në veri të Kosovës?
Ulutash: Mjedisi i sigurisë në veri të Kosovës është aktualisht i qetë.
KFOR-i mban një prani të rregullt, të dukshme dhe fleksibile përmes patrullimeve, pikave të vrojtimit dhe angazhimit me të gjitha komunitetet lokale.
Kjo qasje, e kombinuar me koordinimin dhe komunikimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, na ndihmon të kemi një pasqyrë të plotë të situatës dhe të jemi të gatshëm të reagojmë në mënyrë efektive ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë.
KosovaPress: Gati tre vjet pas sulmit në Banjskë, çfarë mësimesh ka nxjerrë KFOR-i nga ai incident?
Ultash: Ngjarjet që përmendët treguan se ne duhet të jemi gjithmonë vigjilentë dhe se duhet të përshtatemi nëse ndodhin ndryshime në mjedisin e sigurisë.
NATO reagoi duke realizuar përforcimin më të madh të KFOR-it në më shumë se një dekadë.
Gjatë historisë së tij 27-vjeçare, KFOR-i është përballur me shumë sfida. Megjithatë, ai ka dëshmuar gjithmonë se është në gjendje ta zbatojë plotësisht, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, misionin e tij të mandatuar nga OKB-ja, në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Tani duhet të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i gatshëm dhe i aftë për ta përmbushur misionin e tij. Ky është fokusi im dhe do të mbetet fokusi i të gjithë personelit të KFOR-it, çdo ditë.
KosovaPress: A konsideron KFOR-i se rreziku për incidente të ngjashme është eliminuar, apo mbetet ende një shqetësim?
Ulutash: Nuk dua të hyj në spekulime. Si ushtarakë, ne asnjëherë nuk marrim asgjë si të mirëqenë dhe jemi gjithmonë të përgatitur për çdo skenar.
Për këtë arsye, KFOR-i zhvillon rregullisht aktivitete për të përmirësuar aftësitë e personelit tonë dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale.
Megjithatë, mund të them me bindje se situata e sigurisë ka vazhduar të përmirësohet gjatë viteve të fundit. Përpjekjet e përditshme të KFOR-it – të cilat i përshkrova më sipër – kanë luajtur pa dyshim një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
Tani duhet të ndërtojmë mbi këtë progres dhe të sigurohemi që arritjet e fituara me shumë përpjekje të ruhen. Për këtë arsye, do të vazhdojmë të garantojmë që KFOR-i të mbajë një prani efektive operacionale në terren.
KosovaPress: Pas sulmit në Banjskë, NATO dislokoi trupa shtesë në Kosovë. Cilat kritere do të përcaktojnë nëse kjo prani e përforcuar mund të reduktohet në të ardhmen?
Ulutash: Nuk jam në pozitë të zbuloj detaje operacionale. Kjo është thelbësore për të ruajtur efektivitetin dhe fuqinë parandaluese të KFOR-it.
Megjithatë, mund t’ju them se ne do të vazhdojmë të monitorojmë çdo zhvillim relevant të sigurisë dhe do të sigurohemi gjithmonë që misioni ynë të jetë i pozicionuar siç duhet dhe i aftë për të përmbushur detyrën e tij.
Siç kam thënë edhe më parë, procesi i optimizimit të pranisë së KFOR-it bazohet në një analizë të kujdesshme të disa treguesve të sigurisë. Ai do të zhvillohet gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të rikthehet nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë këtë.
KosovaPress:Në Kosovë ka zëra që argumentojnë se KFOR-i reagoi shumë ngadalë gjatë sulmit në Banjskë dhe se duhej të kishte pasur paraprakisht informacione inteligjente për grupin e armatosur. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?
Ulutash: KFOR-i veproi në mënyrë profesionale dhe me shpejtësinë e nevojshme, në përputhje të plotë me mandatin e tij afatgjatë të OKB-së dhe sipas procedurave e protokolleve të vendosura.
Gjithashtu, si rezultat i atyre ngjarjeve që përmendët, KFOR-i e ka përshtatur më tej praninë e tij në terren.
KosovaPress: A besoni se Serbia ka bërë mjaftueshëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë dhe a mbetet Milan Radoiçiq një shqetësim për sigurinë e Kosovës dhe rajonit?
Ulutash: NATO ka qenë shumë e qartë gjatë gjithë kohës për këtë çështje të rëndësishme: përgjegjësit për aktet e pajustifikuara të dhunës të vitit 2023 duhet të mbahen përgjegjës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka theksuar këtë vazhdimisht dhe në mënyrë konsistente, duke shtuar se aleatët e NATO-s presin që Serbia të luajë rolin e saj në këtë proces të rëndësishëm.
KFOR-i mbetet plotësisht i përqendruar në mandatin e tij, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
KosovaPress: Gjatë mandatit tuaj keni zhvilluar disa vizita në Serbi. Cili është qëllimi kryesor i këtyre kontakteve dhe cilat çështje diskutohen zakonisht me udhëheqjen ushtarake serbe?
Ulutash: KFOR-i mban komunikim të rregullt dhe transparent me Forcat e Armatosura të Serbisë, në të gjitha nivelet.
Së fundmi isha në Beograd, ku u takova me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin (Milan) Mojsiloviq. Ai ishte takimi im i pestë me të.
E vlerësoj shumë bashkëpunimin që kemi zhvilluar me gjeneralmajorin (Milan) Mojsiloviq gjatë viteve. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në shumë mënyra, duke kontribuar në forcimin e transparencës dhe besimit të ndërsjellë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
KosovaPress: Si i përgjigjeni perceptimit në Kosovë se KFOR-i ndonjëherë tregon më shumë mirëkuptim për shqetësimet e Beogradit sesa për ato të Prishtinës?
Ulutash: Mandati ynë është plotësisht i qartë: të kontribuojmë për një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne i përmbahemi këtij mandati në të gjitha aktivitetet tona të përditshme. Ky është fokusi ynë.
Siguria e qëndrueshme mund të ekzistojë vetëm nëse të gjitha komunitetet ndihen se përfitojnë prej saj.
Ne vazhdojmë ta përmbushim plotësisht dhe në mënyrë të paanshme misionin tonë të mandatuar nga OKB-ja. Pikërisht paanshmëria ka qenë gjithmonë themeli i veprimtarisë së KFOR-it dhe do të vazhdojë të udhëheqë aktivitetet e përditshme të misionit tonë paqeruajtës, përfshirë takimet e mia të rregullta me të gjithë bashkëbiseduesit.
Mes tyre janë edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Vetëm së fundmi u takova me zotin Kurti, me të cilin shkëmbyem pikëpamje për një sërë çështjesh dhe për kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it në stabilitetin rajonal.
KosovaPress:Si do ta përshkruanit bashkëpunimin aktual të KFOR-it me institucionet e Kosovës? A besoni se ekziston besim i plotë i ndërsjellë mes dy palëve? Gjatë periudhës së sulmit në Banjskë, shumë vëzhgues vlerësuan se marrëdhëniet dhe komunikimi mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës nuk ishin në nivelin më të mirë. Si e vlerësoni atë periudhë nga këndvështrimi juaj?
Ulutash: Ne kemi një bashkëpunim afatgjatë me organizatat e sigurisë në Kosovë dhe me institucionet e Kosovës, dhe vazhdojmë ta zhvillojmë atë.
Do të veçoja faktin se vitin e kaluar, si dhe gjatë këtij korriku, institucionet e sigurisë së Kosovës – përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës, në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtje civile – morën pjesë në stërvitjen e përbashkët “Golden Sabre”, së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in.
Stërvitja “Golden Sabre” dëshmoi aftësinë për të bashkëpunuar dhe koordinuar në mënyrë efektive menaxhimin e situatave të krizës ndërmjet mekanizmave të sigurisë që veprojnë në Kosovë.
Kjo është thelbësore për të siguruar që përpjekjet tona të përbashkëta të hapin rrugën drejt një sigurie të qëndrueshme, në dobi të të gjitha komuniteteve.
KosovaPress: Si e vlerësoni profesionalizmin dhe përparimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), dhe si do ta përshkruanit bashkëpunimin e saj aktual me KFOR-in?
Ulutash: Personeli i organizatave të sigurisë në Kosovë vazhdon të zhvillojë aftësitë e tij dhe kjo ndihmon bashkëpunimin me KFOR-in.
Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), edhe ajo ka treguar përparim të dukshëm. Performanca e saj në stërvitjet e përbashkëta, si “Golden Sabre 2026”, e zhvilluar së fundmi, është një shembull i qartë i këtij progresi, veçanërisht në një fushë të rëndësishme si asgjësimi i sigurt i mjeteve shpërthyese.
NATO vazhdon ta mbështesë FSK-në në kuadër të mandatit të saj fillestar për mbrojtje civile, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), i cili zhvillon një gamë aktivitetesh mbështetëse, përfshirë ngritjen e kapaciteteve, edukimin dhe koordinimin e trajnimeve.
Këto përpjekje për ngritjen e kapaciteteve përmes NALT-it po vazhdojnë tashmë për një dekadë.
NALT është i ndarë nga KFOR-i. Megjithatë, personeli i tij është i vendosur në selinë e KFOR-it, në kampin “Film City”. Kjo siguron që përpjekjet tona përkatëse të jenë të ndara, por njëkohësisht plotësuese dhe të forcojnë njëra-tjetrën.
KosovaPress: Kosova ka njoftuar plane për krijimin e një force xhandarmërie. Si e sheh KFOR-i këtë nismë dhe a janë konsultuar NATO apo KFOR-i lidhur me këtë projekt?
Ulutash: U takon institucioneve të Kosovës të komentojnë më në detaje për këtë çështje.
NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë, në përputhje me mandatin e saj afatgjatë të OKB-së, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili sipas rolit të vet si reagues të sigurisë.
Ne presim që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in, në mënyrë që së bashku të kontribuojmë për sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve.
KosovaPress: A besoni se krijimi i një force të tillë mund të ndikojë në arkitekturën e sigurisë së Kosovës dhe a mund të ketë mbivendosje të përgjegjësive ndërmjet Policisë, FSK-së dhe një xhandarmërie të ardhshme?
Ulutash: Ajo që është e rëndësishme për ne, në fund të fundit, është të sigurohet efikasiteti dhe të shmanget dyfishimi i përpjekjeve.
Ruajtja e roleve dhe përgjegjësive të qarta është thelbësore për të garantuar që të gjithë ofruesit e sigurisë të kontribuojnë në mënyrë efektive për një mjedis të sigurt dhe të qetë, në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.
Në çdo rast, zhvillime të tilla nuk ndikojnë në mandatin e KFOR-it sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
KosovaPress: Kosova synon anëtarësimin në NATO. Çfarë hapash duhet të ndërmarrë për t’iu afruar këtij qëllimi dhe kur besoni se një zhvillim i tillë mund të ndodhë realisht?
Ulutash: Anëtarësimi në NATO kërkon konsensusin e të 32 aleatëve.
Çdo vendim lidhur me zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet NATO-s dhe institucioneve të Kosovës i takon Këshillit të Atlantikut të Veriut, i cili është organi vendimmarrës i NATO-s.
Unë dhe personeli i KFOR-it që komandoj mbetemi plotësisht të përqendruar në zbatimin e misionit tonë të mandatuar nga OKB-ja.
KosovaPress: A do të ishte Kosova e sigurt sot pa praninë e KFOR-it dhe cilat kushte duhet të plotësohen që misioni i KFOR-it një ditë të mos jetë më i nevojshëm?
Ulutash: Për 27 vjet, KFOR-i ka qenë një shtyllë e sigurisë në Kosovë dhe një faktor kyç i stabilitetit rajonal.
Fakti që tani po optimizojmë praninë tonë është një tregues pozitiv se mjedisi i sigurisë është, në përgjithësi, i qëndrueshëm. Megjithatë, NATO dhe KFOR-i mbeten plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë.
Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, ndërsa siguria e tij është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e hapësirës euroatlantike. NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakuumi të sigurisë.
Prandaj, ndërsa KFOR-i do të vazhdojë ta zbatojë plotësisht dhe në mënyrë të paanshme mandatin e tij, rruga drejt një sigurie të qëndrueshme është politike, jo ushtarake.
Për këtë arsye, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në kuadër të përpjekjeve më të gjera të NATO-s për të mbështetur avancimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pikërisht ky dialog është korniza për adresimin e të gjitha çështjeve të mbetura pezull, me respekt të plotë për të drejtat e të gjitha komuniteteve.
KosovaPress: Sondazhet tregojnë vazhdimisht se KFOR-i dhe NATO gëzojnë nivel jashtëzakonisht të lartë besimi te qytetarët e Kosovës. Sa i rëndësishëm është ky besim për suksesin e misionit tuaj dhe çfarë mesazhi do të dëshironit t’u përcillnit qytetarëve të Kosovës?
Ulutash: KFOR-i do të vazhdojë t’i përmbahet mandatit të tij afatgjatë të OKB-së, duke dhënë kontributin e vet për një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Ne jemi të inkurajuar nga përmirësimi i situatës së sigurisë dhe nga roli që KFOR-i ka luajtur në arritjen e këtij progresi.
Do të vazhdojmë të japim kontributin tonë për të siguruar që paqja e fituar me shumë përpjekje të ruhet, në dobi të të gjithëve./KP