Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në takim mirëseardhës atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të akredituar në Kosovë, nënkolonel Denise McMahon.
Siç njofton FSK, gjeneral Jashari fillimisht e uroi nënkolonel McMahon për detyrën e atasheut të mbrojtjes dhe në të njëjtën kohe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë takimit, thuhet se komandanti e njoftoi për të arriturat e deritanishme të FSK-së, si dhe diskutoi për objektivat e tij lidhur me zhvillimin e forcës, me fokus në planet bilaterale lidhur me trajnimet, stërvitjet, pajisjet dhe aktivitetet tjera të përbashkëta.





