Dy javë pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke kufizuar lëvizjen e lirë në disa komuna nga ora 19:00 e deri në 05:00 të mëngjesit, profesionistë shëndetësorë thonë se nuk shohin ndonjë përmirësim të gjendjes me të infektuar nga ky virus. Nga Ministria e Shëndetësisë megjithatë thonë se masat kanë efekte.
Infektologu Sali Ahmeti thotë se Klinika Infektive mund ta pranojë një pacient të ri, vetëm nëse lëshohet një i shëruar.
Salihu thotë se janë duke punuar me kapacitete të plota, pasi kërkesat për hospitalizim janë të mëdha.
Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare është referente për gjithë Kosovën. Aty janë rreth 200 shtretër të dedikuar për personat e infektuar me koronavirus.
Ndërkaq, në të gjitha spitalet në Kosovë janë rreth 900 pacientë të hospitalizuar, ndonëse ky numër ndryshon nga dita në ditë.
“Ne në Klinikën Infektive po punojmë vazhdimisht me kapacitete të mbushura. Shtretërit janë komplet të mbushur me pacientë. Pra, në Klinikën Infektive, nuk kemi më ku të fusim pacientë. Ata që lëshohen sigurisht pranohen të tjerë, por kështu po punojmë, pra me kapacitete të plota”, bën të ditur Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, ka kërkesa më të shtuara për hospitalizim dhe varësisht nga gjendja, pacientët transferohen edhe në klinika tjera ku po trajtohen pacientët me COVID-19.
Por, Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë tha se masat e reja që Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë më 12 nëntor kanë pasur një ndikim pozitiv, duke e mbajtur infeksionin nën kontroll.
Ai shton se përqindja e të infektuarve dy javët e fundit nga të gjithë të testuarit ka qenë 35-42 për qind dhe kjo është arritur të mbahet në këtë nivel.
“Rezultati kryesor i masave të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së COVID-19 kanë qenë mbajtja e nivelit të infeksionit në një kurbë normale, pra nuk ka pasur një rritje shumë të madhe apo rënie në të njëjtën kohë. Por, kurba e infeksionit ka mbetur e sheshtë. Ajo që mund të konsiderohet mbase edhe si një lloj suksesi, e që sigurisht kemi pasur humbje jete të njerëzve është që numri i të vdekurve në Kosovë gjatë kësaj periudhe nga COVID-19 mund të konsiderohet më i vogël se në shumicën e shteteve të rajonit dhe Evropës’’, thotë Hoti.
Megjithatë, Hoti shton se të gjitha këto masa janë të pamjaftueshme nëse qytetarët nuk vazhdojnë t’i kultivojnë shprehitë e mbrojtjes, siç është distanca, mbajtja e maskës dhe higjiena personale.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 37.792 raste me COVID-19, prej tyre 975 kanë vdekur.
Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë klasifikuar në tri kategori.
Zona e kuqe si rrezik i lartë, e që komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë më shumë se 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës.
Në këtë zonë janë 21 komuna:
Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Kamenica, Skenderaj, Kllokot dhe Graçanica.
Zona e verdhë, ajo me rrezik mesatar, ndërsa komunat me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 150 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Në këtë zonë janë 15 komuna:
Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malisheva, Suhareka, Shtërpca, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Rahoveci, Junik, Istrogu, Mamusha dhe Hani i Elezit.
Zona e gjelbër, me rrezik të ulët e që në këtë zonë hyjnë komunat që kanë 1 deri në 75 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Në këtë zonë bëjnë pjesë 2 komuna, Dragashi dhe Novobërda.
Por, çka mendojnë disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, lidhur me atë se sa kanë ndikuar masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për përmirësimin e gjendjes me pandemi.
Safete Rugova thotë se nuk mendon që gjendja është përmirësuar.
“Veç po shtohet numri i të infektuarve. Është dashur masa më rigoroze. Ne me të vërtetë po dalim, por duhet të pakësohen daljet, sidomos në kafeteri. Mendoj se është dashur më ndryshe të mendohen masat. Të jemi real, edhe ne si qytetarë nuk po i respektojmë sa duhet masat. Unë jam e moshës së tretë dhe realisht është dashur të jem në shtëpi, por unë vetë po dal në qytet”, thotë ajo.
“Masat nuk e di sa kanë ndikuar, numrat e të infektuarve po rriten. E neve na kanë mbytur këto masa. Kemi humbje të mëdha në punë. Askush nuk përgjigjet”, thotë Fatmir Buliqi.
Rexhep Krasniqi mendon se kufizimi i lëvizjes do të duhej të ishte prej orës 22:00 ose 23:00.
“COVID ka edhe ditën edhe natën”, thotë ai.
Kurse, për Ekrem Kastratin, “50 për qind është politike kjo punë”.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës që shtatë muaj s’e votojnë rimëkëmbjen ekonomike. A ka gjë më turp? Ata e marrin 2 mijë euro pagën, 150 euro mëditjen, e unë punoj që t’i fitoj 1 euro. E sa kanë ndikuar masat në uljen e numrave, nuk po dihet më asgjë. Nuk e di sa kanë ndikuar masat. Nuk besoj që po. Më shumë mendoj që këto masa janë politike”, shprehet ai.