LAJME

KFOR për xhandarmërinë: Po përcjellim nga afër deklarimet e institucioneve në Kosovë

KFOR për xhandarmërinë: Po përcjellim nga afër deklarimet e institucioneve në Kosovë
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Maj 2026, 09:29

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar se po i përcjellin nga afër deklarimet e institucioneve të Kosovës lidhur me vendimin e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për funksionimin e Xhandarmërisë së Kosovës.

Sveçla më 19.05.2026 njoftoi se ka nënshkruar themelimin e grupit punues që do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë.

KFOR thotë se u takon institucioneve që të japin komente më të detajuara.

“Jemi duke i përcjellë nga afër deklarimet e vazhdueshme të institucioneve në Kosovë lidhur me këtë çështje. U takon atyre të japin komente më të detajuara. NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontributin e saj për siguri të qëndrueshme në Kosovë, në dobi të të gjithëve. Në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, KFOR-i garanton një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. Kjo bëhet në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në kuadër të rolit të vet si reagues të sigurisë”- thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Më tej, KFOR janë shprehur se presin që institucionet e sigurisë të vazhdojnë këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuar në sigurinë në Kosovë.

“Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtje civile, përmes ngritjes së kapaciteteve, edukimit dhe koordinimit të trajnimeve. Presim që institucionet e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”- thekson tutje KFOR në përgjigje.

Ministri Sveçla në anën tjetër ka shpjeguar se Xhandarmëria do të funksionojë si Agjencion i MPB-së.

“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.” – ka shkruar Sveçla në rrjete sociale.

Sipas tij, Xhandarmëria do të forcojë kapacitetin për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve që cënojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit.

Kurti në një konferencë për media tha se shumë shpejtë me ministrin Sveçla do të bëjnë të ditur detaje lidhur me xhandarmërinë.

“Ka kohë që ne e kemi menduar këtë gjë, për shkak se një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm për sigurinë e Kosovës ka të bëjë me një zonë e cila është më shumë se policia e më pak se ushtria. Prej ruajtjes së kufirit, te luftimi i terrorizmit, tek mbyllja e cfaredo shtegu të kontrabandës e deri tek mbrojtja infrastrukturës kritike”- u shpreh ai më 20.05.2026./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika