Ministria e Financave ka kërkuar listën e punëtorëve që duan të hyjnë në grevë, për t’ua pezulluar pagat. Kjo ka nxitur reagime ndaj partisë në pushtet, që si opozitë, përkrahte pa kushte grevistët.
Punonjës të sektorit publik, që sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme, kërcënohen se nuk do të paguhen për aq kohë sa janë në grevë.
Në një email që ka siguruar Front Online, Sekretari në detyrë i ministrisë që e drejton Hekuran Murati, kërkonte listën e punonjësve që do t’i bashkoheshin grevës, për t’ia pezulluar pagat.
Se kjo kërkesë është bërë, e konfirmoi autori i saj, Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të ministrisë, Enis Spahiu.
Përveç konfirmimit, Spahiu ka dhënë detaje rreth një komunikimi mes Ministrisë dhe Bashkësisë së Sindikatave të Pavarura të Kosovës, rreth grevës.
Në emailin që thuhet se anëtari i Këshillit Grevist, në adresë të Ministrisë së Financave, Ali Sefaj ka kërkuar “që të krijohen kushtet dhe të mos pengohet mbajtja e grevës”.
“Siç jeni të njoftuar, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur Grevë të Përgjithshme në Sektorin Publik, e të cilës i është bashkuar edhe administrata shtetërore – shërbyesit civil në nivelin qendror dhe lokal. Greva mbahet në institucione në vendin e punës në pajtim me paragrafin 1 të nenit 10 të Ligjit për Grevat nga ora 8 deri në 16 dhe gjatë grevës nuk punohet”, thuhet në një shkrim që Ministria thotë se e mori nga Sefaj.
Ky email i Sefajt nuk mbeti pa përgjigje.
Edhe pse adresimi i BSPK-së mban datën 18 gusht dhe aty lajmërohet se greva nis me 25 gusht, Sekretari i ministrisë u ka thënë që këtë njoftim është dashur ta pranonin 7 ditë para grevës.
Më pas, Spahiu ka kërkuar listën e grevistëve në mënyrë që t’i pezullohen pagat.
“Në anën tjetër, keni parasysh që jemi të detyruar të ndërmarrim disa veprime menaxheriale për sigurimin e disa informatave lidhur me grevën, në zbatimin e dispozitave të Ligjit për Greva. Konkretisht, duhet të sigurojmë materiale përkatëse për përmbushjen e kushteve ligjore për mbajtjen e grevës (procedurale dhe materiale) dhe listën e zyrtarëve që marrin pjesë në grevë, me qëllim të pezullimit të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, siç përcaktohet në nenin 18, paragrafi 1, i Ligjit për Greva”, thuhet në replikën, të cilën Spahiu thotë se ia ka nisur Sefajt.
Pasi i paralajmëron se s’do të paguhen punëtorët që grevojnë, zyrtari i Ministrisë garanton se nuk do të pengohen ata që duan të mbajnë grevë.
“Ju garantojmë që këto veprime nuk do ta pengojnë grevën, as që do të përçojnë një mesazh të tillë dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërhyjmë në vendimin vullnetar të secilit zyrtar për grevë. Shpresoj që edhe ju e kuptoni këtë dhe e përcjellni këtë informatë kolegëve tuaj dhe pjesëmarrësve në grevë”, thuhet aty./Front Online