LAJME

KEK jep detaje për kontratën 73 milionëshe për shitjen e qymyrit në Maqedoni të Veriut

KEK jep detaje për kontratën 73 milionëshe për shitjen e qymyrit në Maqedoni të Veriut
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Gusht 2026, 08:02

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar se më 14.08.2026 ka nënshkruar kontratë për shitjen e qymyrit me JSC ESM, sipas tyre, duke shënuar një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin energjetik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas KEK-ut, vlera e përgjithshme e kontratës, bazuar në sasinë e paraparë, mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro.

“Një ndër elementet kryesore të kontratës është çmimi prej 24.4 euro për ton, pa TVSH, i cili do të mbetet i pandryshuar gjatë gjithë periudhës 36-mujore. Kjo u garanton të dyja palëve siguri dhe stabilitet afatgjatë, duke reduktuar ekspozimin ndaj luhatjeve dhe pasigurive të tregjeve ndërkombëtare”- thuhet në komunikatë.

Ndërsa thuhet se për KEK-un, kjo paraqet një mundësi të rëndësishme për sigurimin e të hyrave të qëndrueshme, planifikimin më të mirë të prodhimit dhe shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve minerare.

Tuje thuhet se KEK-u nuk do të ketë asnjë obligim lidhur me eskavimin, transportin e qymyrit apo me operacionet e tjera logjistike për tërheqjen e tij.

“Të gjitha këto përgjegjësi do t’i bartë blerësi, JSC ESM, ndërsa KEK-u do t’i inkasojë mjetet drejtpërdrejt nga kjo kompani për sasinë e qymyrit të tërhequr”- është bërë e ditur në komunikatë.

Ndërsa theksohet se marrëveshja vjen në një periudhë veçanërisht të rëndësishme për KEK-un, i cili është duke realizuar investime të mëdha kapitale në rehabilitimin dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike. Ndalesat e planifikuara të njësive të termocentraleve për realizimin e këtyre projekteve kërkojnë menaxhim të kujdesshëm të resurseve dhe financave të Korporatës.

“Në këtë kontekst, të hyrat nga shitja e qymyrit do të kontribuojnë në mbulimin e kostove operative dhe kapitale, ndërsa një pjesë e tyre do të orientohet në modernizimin e infrastrukturës së Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ), me qëllim të rritjes së kapaciteteve, efikasitetit dhe sigurisë së operacioneve minerare”- ka thënë KEK.

Po ashtu thuhet se një veçanti tjetër e kësaj marrëveshjeje është se, për herë të parë, KEK Sh.A. po realizon një kontratë të drejtpërdrejtë të këtij lloji me një kompani tjetër publike energjetike, JSC ESM.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika