Ditëve të fundit ka pasur ndryshime drastike të motit, ku temperaturat e ulëta kanë bërë që konsumatorët ta shfrytëzojnë energjinë elektrike edhe për ngrohje. Si rrjedhojë, janë shkaktuar mbingarkesa në rrjet dhe tejnxehje e aseteve, duke rrezikuar kështu furnizimin stabil me energji elektrike.
KEDS ndër vite ka investuar vazhdimisht në modernizim të rrjetit dhe mirëmbajtje të tij, duke zgjeruar linja furnizimi dhe duke i përforcuar ato aktuale. Por, kërkesa e tanishme e tejkalon dizajnin e rrjetit elektrik në disa lokalitete. Kjo, pasi trasformimi i energjisë elektrike në energji termike është proces i dhunshëm dhe asnjë rrjet elektrik nuk është i destinuar për ngrohje. Në këto situata, në mënyrë që të kemi furnizim sa më të mirë dhe rrjeti ta përballojë më lehtë ngarkesën, apelojmë për kursim maksimal të energjisë elektrike.





