Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sylë Dukolli, e kanë vizituar sot njërën nga pikat e grumbullimit të qumështit dhe i kanë njoftuar fermerët, se janë ekzekutuar mjetet për subvencionimin e qumështit, prej 3 cent për çdo litër qumësht të dorëzuar.
Po ashtu, kryetari Kastrati i ka njoftuar fermerët, se i kanë filluar procedurat edhe për furnizimin e tyre me bidon për qumësht, me qëllim të ruajtjes së cilësisë së qumështit. “Ashtu siç kemi premtuar, gjatë javës së kaluar i kemi ekzekutuar mjetet për subvencionimin e qumështit, për gjashtë mujorin e parë, nga 3 cent për çdo litër qumësht të dorëzuar, e po ashtu ju njoftoj se i kemi filluar edhe procedurat për furnizim me bidon për qumësht, me qëllim që të lehtësohet puna juaj për ruajtjen e cilësisë së qumështit, dhe premtoj se do të vazhdojmë me përkrahje në të gjitha fushat e bujqësisë”, ka thënë kryetari Kastrati, gjatë vizitës në pikën e grumbullimit të qumështit në Tërpezë e Poshtme, te fermeri Sami Krasniqi.





