Kapiteni i Policisë së Kosovës, Visar Shala, ka përfunduar me sukses Sesionin e 299-të të Akademisë Kombëtare të FBI-së (FBI National Academy), në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ceremonia e diplomimit është mbajtur më 17 shtator në Quantico të Virxhinias, ku kanë marrë pjesë zyrtarë të institucioneve të zbatimit të ligjit nga SHBA-ja dhe vende të ndryshme të botës.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, në këtë sesion kanë marrë pjesë gjithsej 265 zyrtarë të zbatimit të ligjit nga SHBA-ja dhe 29 vende të tjera.
Ambasada e Kosovës e ka përgëzuar kapitenin Visar Shala për përfundimin me sukses të këtij programi, duke e cilësuar atë si një arritje të rëndësishme profesionale.
Në njoftim theksohet se pjesëmarrja dhe diplomimi i Shalës në Akademinë Kombëtare të FBI-së pasqyrojnë përkushtimin e Policisë së Kosovës ndaj zhvillimit profesional të pjesëtarëve të saj, si dhe kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit.
Përfundimi i këtij programi në një prej institucioneve më të njohura të trajnimit për zyrtarët e zbatimit të ligjit përbën një tjetër hap në avancimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.





