Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur tryezë diskutimi lidhur me katërvjetorin e marrëveshjes historike për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga presidenti, Donald Trump.
Avdullah Hoti i cili atë kohë ishte kryeministër i Kosovës, tha se përkundër që kanë kaluar mbi 4 vite nga arritja e marrëveshjes, Kosova nuk ka arritur të implementojë projekte të rëndësishme të cilët do të kishin impakt në ekonominë e vendit.
Ai theksoi se gjatë kohës sa ka qenë kryeministër ka punuar me aleatët në mënyrë që Kosova të ecë para sa i përket integrimit si dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë.
Ne kemi punuar ngushtë me aleatët që çështja e Kosovës të jetë sfidë për integrim euroatlantik, e jo sfidë e sigurisë. Tash kam frikë se gjatë këtyre viteve jemi kthyer prapë në pikën zero ku Kosova trajtohet në tavolinat e aleatëve si problem i sigurisë. Nuk ka më dialog për njohje reciproke, është arritur një marrëveshje në Bruksel dhe një aneks në Ohër. Sot në vitin 2024 besoj që do të duhej të ishim në kulm të investimeve edhe në hekurudhë edhe në autostrada edhe në krijimin e portit në dalje të Prishtinës dhe më vie shumë keq që nuk kemi avancuar në projektin e gazit. Këto projekte nuk janë anuluar, por kemi humbur kohë shumë të vlefshme. Unë besoj që pas zgjedhjeve të ardhshme t’i kthehemi kësaj agjende. Ne nuk po duket që në të ardhmen e afërt mund të arrijmë një marrëveshje me Serbinë, andaj duhet të fokusohemi në ekonominë e vendit”, shtoi ai.
Hoti tha se pret që administrata e re Trump të ketë qasje më pragmatike ndaj dialogut Kosovë-Serbi.
“Unë hezitoj të interpretoj politikat e presidentëve amerikanë. Se si do të qaset tani presidenti i ri karshi dialogut Kosovë-Serbi po tentoj të besoj që do të shohim një qasje shumë më pragmatike. Unë nuk besoj që kjo qasje mund t’i cenoj arritjet që i kemi deri më tani. Kjo nënkupton që të shtyhen të dy palët që të hyjnë në aranzhime që e ndërrojnë qasjen e dy vendeve në arritjen e marrëveshjes përfundimtare”, shtoi Hoti.
Për rëndësinë e marrëveshjes së Washingtonit foli edhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane.
Ai tha se janë duke organizuar aktivitete për të përafruar më shumë bizneset kosovare dhe ato serbe.