LAJME

Java nis me diell, ndryshim i motit nga e mërkura – priten reshje dhe rritje e temperaturave

Java nis me diell, ndryshim i motit nga e mërkura – priten reshje dhe rritje e temperaturave
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Korrik 2026, 07:28

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se kjo javë do të karakterizohet nga mot relativisht i qëndrueshëm, me alternim të intervaleve me diell dhe vranësirave.

Sipas njoftimit, në fillim të javës temperaturat do të jenë pranë mesatareve klimatike për këtë periudhë, ndërsa nga mesi i javës pritet rritje graduale e temperaturave, duke sjellë mot më të ngrohtë.

Nga dita e mërkurë deri të enjten parashihen kushte për zhvillim të vranësirave konvektive, të cilat vende-vende mund të shoqërohen me riga shiu, shtrëngata afatshkurtra dhe shkarkime rrufesh.

Gjatë javës, era thuhet se do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe perëndimi, me intensitet të lehtë deri mesatar, ndërsa gjatë zhvillimit të proceseve konvektive mund të ketë përforcime të përkohshme.

Ndërkaq, të hënën, moti pritet të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12°C dhe 15°C, ndërsa maksimalet ndërmjet 24°C dhe 27°C. Era thuhet se do të fryjë nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar.

Sa i përket kushteve agrometeorologjike gjatë javës, IHK thotë se do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore.

“Temperaturat e ngrohta dhe intervalet me diell do të mundësojnë zhvillimin normal të proceseve fiziologjike të bimëve. Reshjet e pritshme nga e mërkura deri të enjten do të përmirësojnë përmbajtjen e lagështisë në shtresën sipërfaqësore të tokës, duke lehtësuar stresin hidrik te kulturat pranverore dhe perimet. Megjithatë, në zonat ku paraqiten shtrëngata me intensitet më të lartë, mund të ketë lokalisht rrjedhje sipërfaqësore të ujit dhe ndërprerje të përkohshme të punimeve bujqësore. Fermerëve u rekomandohet që spërkatjet me preparate fitosanitare t’i planifikojnë jashtë periudhave me reshje.” – thuhet në njoftim.

Gjithashtu, edhe kushtet biometeorologjike thuhet se do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullatës gjatë kësaj jave.

“Në ditët me temperatura më të larta, sidomos të mërkurën dhe të premten, gjatë orëve të mesditës rekomandohet shmangia e ekspozimit të zgjatur ndaj rrezeve direkte të diellit, konsumimi i sasive të mjaftueshme të lëngjeve dhe kufizimi i aktiviteteve fizike intensive në ambiente të hapura. Personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë intervaleve me temperatura më të larta. Gjatë shtrëngatave të mundshme me shkarkime elektrike rekomandohet shmangia e qëndrimit në hapësira të ekspozuara.” – njofton IHK.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika