Në Kosovë javën e ardhshme do të mbajë mot i ftohtë, ndërsa parashihet borë me intensitet të ulët e po ashtu edhe erëra të forta.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës do të jetë java më e ftohtë e këtij dimri. Nga Instituti është paralajmëruar për erëra të fuqishme sot pasdite.
“Parashihet të jetë java më e ftohtë deri më tani e kësaj stine. Edhe sot pasdite parashihen erëra të fuqishme të cilat do t’i përfshijnë disa rajone, kryesisht veriun, verilindjen dhe perëndimin e vendit , por edhe pjesa qendrore gjithashtu do të përfshihet nga erërat e fuqishme të cilat do të regjistrojnë shpejtësinë mbi 12m/s. Parashihet edhe reshje bore të intensitetit të dobët , të cilat do të vazhdojnë edhe në pjesën e par të ditës së hënë, ku edhe erërat parashihen të dobësohen pasditen e ditës së nesërme”, thuhet nga Instituti. “Gjatë gjithë javës do të ketë ngrica , prandaj pjesëmarrësit në komunikacion duhet të kenë kujdes të shtuar”.
Temperaturat minimale do të lëvizin mes -11 dhe -5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet mes -2 dhe 1 gradë Celsius.
Po ashtu Instituti u ka bërë thirrje tregtarëve të pemëve e perimeve që t’i ruajnë ato në kushte të përshtatshme për shkak të temperaturave të ulëta./koha.net/