Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka thënë se grupi i armatosur që kreu sulm terrorist në Banjskë të Zveçant të dielën nuk mund të martirizohet pasi, siç thotë ai, ata ishin aty për shkaktuar trazira.
Shea shprehu keqardhjen për policinë e vrarë, Afrim Bunjaku, ndërsa i pyetur se si e komenton zinë e Serbisë për sulmuesit e vrarë në Kosovë, ai ka thënë se kjo nuk ka qenë një sjellje e arsyeshme.
“Si fillim duhet të bëjmë të qartë se kjo nuk është një sjellje e arsyeshme. Këta njerëz nuk janë martirë, ata nuk janë duke luftuar për ndonjë kauzë e cila mund të justifikohet. Jo. Ata ishin aty për të vrarë njerëz, ishin aty për të shkaktuar trazira. Ideja e të quajturit ata martirë apo heronj është e gabuar. Kjo lloj retorike është gjëja e fundit që ne kemi nevojë. Ajo që unë vura re ama është se kur sekretari i Shteteve të Bashkuara, Blinken telefonit presidentin Vuçiq, ky i fundit premtoi se do të qetësohej situata. Le të shikojmë nëse do qetësohet kjo situatë dhe nëse kjo retorikë qesharake dhe e panevojshme ka për t’u shuar apo jo”, ka thënë Shea në një intervistë për Euronews Albania.
Më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.