SHBA “pasuroi” së fundmi listën e personave të shpallur “non grata”. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se ish-kryeministri Sali Berisha, bashkëshortja e tij Liri Berisha, si dhe djali dhe vajza, Shkëlzen e Argita Berisha, nuk do të lejohen më të futen në SHBA.
Blinken thotë mesazhin e tij, se në cilësinë si Kryeministër i Shqipërisë , Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët politikë si dhe anëtarët e familjes.
Por Berisha nuk është as i pari dhe as i fundit i shpallur “non grata” në SHBA.
Më herët, në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit janë futur edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, si dhe ish-deputeti Tom Doshi. Ky i fundit dha dorëheqjen edhe nga kandidimi në zgjedhjet e 25 prillit pas mesazheve të vazhdueshme të ambasadores Yuri Kim. Hyrja në SHBA këtyre personave u është ndaluar me arsyetimin e kryerjes së veprimeve korruptive.
Si e paralajmëroi Rama shpalljen “non grata” të Berishës?
Gjatë një seance të ndezur me debate të ashpra, më 31 janar 2019, kryeministri Edi Rama deklaroi se Sali Berisha ishte i padëshiruar në SHBA. Teksa pati një përplasje mes tyre, Rama e pyeti Berishën: A e kalon dot Oqeanin për në SHBA…?, transmeton shqip.
“Ti Sali e kapërcen dot Oqeanin me dash? Hajde përgjigju.”, tha Rama ndër të tjera. Sali Berisha i zënë ngushtë u shpreh se “Unë i kam ndërprerë të gjitha llojet e udhëtimeve zyrtare.”