Sot, 3 korrik, i jepet lamtumira e fundit shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili vdiq mëngjesin e së hënës në moshën 88-vjeçare. Në Kosovë e mërkura është shpallur ditë zie. Shqipëria e ka bërë këtë edhe për të martën. Ceremoninë shtetërore të lamtumirës së Kadaresë mund ta përcillni në këtë artikull.
Botuesi i veprave të Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri, ka rrëfyer për momentet e fundit të shkrimtarit. Ai tha se ishte njoftuar për gjendjen e tij, e kur i shkoi pranë e gjeti të shtrirë.
“Ishte moment dramatik kur më lajmëruan se duhej të vija se diçka kishte ndodhur. E pashë të shtrirë në korridor…e morëm, e hipëm në ambulancë, ishte në gjendje gati i ngrirë… Ishte një ambulancë e thjeshtë, pa një që mund t’i vijë në ndihmë të sëmurit dhe me zor çamë rrugën e Tiranës, ku ndonëse ulërinte sirena, njerëzit s’e hapnin rrugën”, ka deklaruar Hudhri.
Ai ka shtuar para gazetarëve se me të mbërrirë në spital, mjekët e morën në duar, por aty u vërejt se “diçka e keqe po ndodhte”.
“…Mund të shihje mobilizimin e mjekëve, çka tregonte se diçka jo e mirë po ndodhte, derisa heshti gjithçka”, ka theksuar botuesi i “Onufrit”.