LAJME

Ish-zëvendësministri Ramadani kërkon largimin e pranisë statike të KFOR-it nga Ura e Mitrovicës

Ish-zëvendësministri Ramadani kërkon largimin e pranisë statike të KFOR-it nga Ura e Mitrovicës
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Gusht 2026, 11:15

Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka kërkuar largimin e pranisë statike të KFOR-it nga ura kryesore e Mitrovicës, duke vlerësuar se janë përmbushur kushtet që kjo të ndodhë.

Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka thënë se ura duhet të bëhet simbol i normalizimit dhe besimit, duke theksuar se prania statike e KFOR-it ka pasur rol të rëndësishëm në periudhat kur situata e sigurisë e ka kërkuar, por se çdo masë e jashtëzakonshme duhet të rishikohet kur ndryshojnë rrethanat, raporton Ekonomia Online.

Ai ka ngritur pyetjen nëse prania statike në urën kryesore të Mitrovicës është ende e nevojshme, duke argumentuar se situata e sigurisë duhet të vlerësohet sipas realitetit aktual, se institucionet vendore kanë kapacitetet për të garantuar sigurinë dhe se një sistem modern sigurie mbështetet në patrullime, monitorim dhe reagim të shpejtë.

Ramadani ka theksuar se hapësirat publike nuk duhet të mbeten përgjithmonë simbol i një situate të jashtëzakonshme dhe se qëllimi i çdo misioni paqeruajtës është që një ditë prania e tij të mos jetë më e domosdoshme.

Sipas tij, largimi i pranisë statike të KFOR-it nga ura nuk do të përbënte dobësim të sigurisë, por dëshmi se siguria është forcuar dhe një hap drejt normalizimit. Ai ka shtuar se ura duhet të mbrohet nga besimi qytetar, ligji dhe normaliteti, e jo të ruhet përgjithmonë nga ushtarët.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika