Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka deklaruar se një efektiv në Njësinë Speciale Intervenuese mund të krahasohet me 50 ushtarë të NATO-s, duke u shprehur se intervenimi në Banjskë ndaj të armatosurve serbë vitin e kaluar “ishte betejë e qartë që Kosova ka zot shtëpie”.
Ai ka shkruar në Facebook të dielën se kjo njësi kishte arritur në kohë rekorde ta vë nën kontroll situatën e krijuar “duke çmontuar grupin e mbi 100 terroristëve”. Sipas Mehajt, nëpërmjet reagimit të armatosur në Banjskë, Kosova ka fituar respekt në qarqet e sigurisë ndërkombëtare.
Sipas ish-ministrit, Njësia Intervenuese e pati parandaluar një gjakderdhje të madhe që mund të pasonte, derisa është shprehur se nëse kjo lloj situata do të ndodhte në vendet e NATO-s, “do të angazhohej një batalion që ka në veten e tij 500 deri në 1000 trupa ushtarake”.





