Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bashkë me ekip kanë çel rrugën që çon në Vetting në Drejtësi.
Një pararendës, po i kërkon asaj, që ta vazhdojë procesin, tutje.
Selim Selimi po e konsideron Vettingun, të domosdoshëm. Megjithatë ky ka një udhëzim për MD-në.
“Për të qenë vettingu i suksesshëm duhet të formohet një mekanizëm i përhershëm, pa bërë ndryshime kushtetuese, duhet patjetër që pjesë e vendimarrjes të jenë institucionet e drejtesisë si KPK, KGjK dhe Gjykata Supreme dhe duhet të bëhet në kordinim të plotë me ShBA dhe BE”, theksoi Selimi për “Front Online”.
Ish-ministri Selimi për Vettingun: U humb shumë kohë pa nevojë, raporti ishte gati
Ministria e Drejtësisë është në pritje të opinionit për vettingun nga Komisioni i Venecias.
Ai pritet të bëhet publik më 17 qershor.
Ish i pari i drejtësisë Selim Selimi tregon për “Front Online” se ku u humb kohë në realizimin e këtij procesi.
“Me riformimin e grupit dhe ripërpilimin e një raporti të ri është humb kohë më shumë se që duhet. Kryetari i grupit punues të vettingut gjatë mandatit tim e që vjen nga shoqëria civile sot me sa e di unë është këshilltar i ministres Haxhiu andaj edhe ka mundur lehtë të vërtetohet profesionalizmi, pavaresia dhe kualiteti i atij grupi e atij raporti”, deklaroi Selimi për “Front Online”.
Ish-ministri i drejtësisë: Qeveria nuk e njohu kontributin tonë për Vettingun
Selimi tha se gjatë mandatit të tij si ministër është formuar grupi që është udhëhequr nga shoqëria civile e që ka qenë i pavarur.
Raportin e shoqërisë civile, Selimi thotë se e ka përcjellë në dorëzimin e detyrës.
Ish-ministri i drejtësisë tha se rishkrimi i të njëjtit raport po bëhet në mënyrë ironike për të mos e njohur punën që kanë bërë ai dhe grupi i tij.
“Rishkrimi i të njëjtit më shumë ka qenë një deklaratë politike se kjo qeveri kinse po bënë punë vet e nuk njeh kontribute të mëhershme e ironikisht kryetari i grupit tim me sa di unë punësohet si këshilltar i kësaj qeverie. Jam i lumtur që edhe unë dhe ministrja kemi vlerësuar profesionalizimin e tij”, tha ai për Front Online.
Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e ka votuar koncept-dokumentin për vetting në sistemin e drejtësisë.
Përgatitjet për këtë proces, i paraparë të bëhet me ndryshime kushtetuese, pritet të zgjasin 5 vite.
Në raportin e progresit për vitin 2021 është kundërshtuar procesi i vettingut në Kosovë.
Sipas këtij raporti, fillimisht duhet të shteren të gjithë mekanizmat ekzistues për të siguruar integritet dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore./Front Online/