Ish-kryetari i Prizrenit, tashmë kandidati i LVV-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, Mytaher Haskuka, ka kritikuar kryetarin aktual të Prizrenit, Shaqir Totaj dhe ekipin e tij për vonesën e përfundimit të projektit lidhur me varrezat e martirëve në fshatin Krushë e Vogël, për më shumë se 3 vite.
Në një postim në Facebook, Haskuka është shprehur se ky projekt është dashur të përfundojë në fillim të vitit 2022, duke marrë parasysh se sipas tij, pjesa më e madhe e procedurave të projektit dhe 85% e punimeve ndërtimore kishin përfunduar gjatë mandatit të tij.
“Një projekt i cili është dashur të përfundoj në fillim të vitit 2022, përurohet me tre vite vonesë. Si shumë projekte që nuk u përbyllën apo u vonuan tepër, edhe varrezat e martirëve të fshatit Krushë e Vogël, u vonuan për më shumë se 3 vite. Drejtoria e Administratës gjatë mandatit tonë kishte kryer dy procedura të shpronësimit, kishte hartuar projektin, kishte lidhur kontratën, kishte bërë zhvarrosjen dhe rivarrosjen e martirëve dhe kishte përfunduar 85% të punimeve ndërtimore. Pra, për projektin pothuajse të përfunduar, për të cilin nuk është dashur hiç më shumë se të bëjë ekzekutimin e mjeteve, ekipit të Totajt i janë dashur më shumë se 3 vite mospunë.”, shkruan Haskuka në Facebook, raporton TV Prizreni.