Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, deklaroi se çështja e veriut do të nxehet, pasi Kosova të dorëzojë aplikacionin për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Ai shkroi në Twitter të dielën mbrëma se para se aplikimi të bëhet, ekzistojnë marrëveshje që duhet të respektohen dhe se “duhet të ndërmerren hapa të vështirë”.
Bildt theksoi se kriza është duke shpërthyer sërish në veri të vendit.
Të dielën është raportuar për një shpërthim në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Kosovës. Zyrtarë të Policisë i kanë thënë KOHËS se nuk kanë konfirmim për incidentin, derisa ende dy rrugë në veri mbesin të bllokuara nga barrikadat serbe.
Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i paralajmëroi serbët të dielën se do ta kenë “një natë të vështirë”, duke shtuar se kjo situatë e veriut ka qenë më e rënda për të.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i largojë menjëherë barrikadat dhe t’i ndërpresë kërcënimet e frikësimet.
“Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”, u tha nga ambasadat të dielën.