Ish-deputeti dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala është dërguar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i tij, Xhevdet Smakiqi.
“Po, është dërguar në Hagë”- ka thënë ai.
Shala u arrestua në vazhdën e aksioneve të ZPS në kuadër të procesit hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me këtë Zyra e Prokurorit të Specializuar, në Hagë, nuk ka dashur të komentojë këtë rast, por vetëm ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar operacione në Kosovë.
“ZPS po kryen operacione në vazhdimësi dhe nuk ka asnjë koment të mëtejshëm” – është shprehur Christopher Bennett në një përgjigje zyrtare..
Që nga fillimi i muajit nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer disa bastisje në Kosovë, duke përfshi pronat e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit.
ZPS kishte njoftuar se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor në drejtim të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë.
ZPS në noftimin e saj të mëhershëm kishte deklaruar se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që i frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.
Gjithashtu gjatë këtij viti, në Gjykatën Speciale janë intervistuar disa persona të cilëve u ishin konfiskuar telefonat, në mesin e tyre edhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili kishte punuar si këshilltar i Thaçit.
Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për të cilat me vendim fajësie janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Çështja e ish-komandantit “Cali” Slaih Mustafa, i cili është i akuzuar për krime lufte, ndodhet në fazën e Apelit, ku pritet që vendimi përfundimtar të shpallet më 14 dhjetor.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë themeluar mbi bazën e një marrëveshje ndërkombëtare, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet një amendamenti kushtetues, dhe në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
Këto institucione janë të përkohshme dhe i janë dhënë një mandat dhe juridiksion i caktuar për të hetuar dhe gjykuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës.
Veprat penale që janë në fokus kanë ndodhur midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, duke përfshirë ato që janë kryer nga individë me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe ato që janë kryer kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë./KALLCO.COM/