Raporti i Auditimit të Performancës i Zyrës Kombëtare të Auditimit mbi procesin e licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtjen e mjedisit nga kjo veprimtari, ka konfirmuar edhe njëherë shqetësimet që janë adresuar nga shoqëria civile lidhur me këto çështje.
Gjetjet e këtij raporti, kanë treguar se institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbrojtur mjedisin nga operatorët ekonomik gjatë zhvillimit të aktivitetit minerar duke mundësuar që këta operatorë të operojnë pa zbatuar kriteret e kërkuara dhe pa ofruar siguri në terren.
Sipas ZKA-së, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka të vendosur sistemin për dhënien e licencave dhe lejeve për shfrytëzim dhe aktivitete të veçanta, por se zbatimi i këtij sistemi përcillet me disa mangësi dhe për rrjedhojë nuk ka ofruar siguri të nevojshme se janë plotësuar të gjitha kriteret gjatë procesit të licencimit të operatorëve ekonomik.
“Mangësitë ndërlidhen me moskoordinimin me palët tjera gjatë licencimit, mungesa e pëlqimeve nga organet përgjegjëse për rrugët, mungesa e programit të detajuar të rehabilitimit, vazhdimi i licencave në mungesë të rikultivimit të zonave ku janë shfrytëzuar mineralet. Gjatë viteve 2018 dhe 2019, Inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk kishte zbatuar si duhet dispozitat ndëshkuese dhe monitorimin ndaj operuesve ilegal. Kjo rrezikon mbrojtjen e mjedisit nga aktiviteti minerar të cilat paraqesin rrezik për njerëzit dhe kafshët”, thuhet në raportin e ZKA-së (http://www.zka-rks.org/…/Raporti-auditimit-mineralet…).
Sipas Auditorit, edhe dhënia e pëlqimeve dhe lejeve mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është karakterizuar me disa mangësi në monitorimin e vlefshmërisë së pëlqimeve mjedisore dhe procesin e lejeve mjedisore, monitorimin e operuesve që shfrytëzojnë mineralet, inspektimin e shfrytëzuesve të mineraleve dhe mangësi në zbatimin e dispozitave ndëshkuese. “Këto kanë ndikim negativ direkt në mbrojtjen e mjedisit nga aktiviteti minerar e njëkohësisht kanë edhe efekt financiar.
Prandaj, bazuar në konkludimet e përgjithshme vlerësojmë se, me qëllim të mbrojtjes së ambientit ka nevojë për përmirësimin e sistemit të licencimit për shfrytëzim të mineraleve dhe aktiviteteve të veçanta si dhe përmirësimin e sistemit për dhënien/monitorimin e pëlqimeve dhe lejeve mjedisore. Njëkohësisht, ka nevojë për përmirësimin e menaxhimit të inspektimeve për shfrytëzuesit e mineraleve dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe lokal në fushën e mbrojtjes së ambientit.
Me qëllim të adresimit të këtyre çështjeve të rëndësishme kemi vlerësuar se është e nevojshme përfshirja aktive e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, theksohet në raportin e ZKA-së, duke shtuar se për KPMM-në janë dhënë 10 rekomandime, 6 sosh për MEA dhe 1 rekomandim për inspektoratet komunale. Vitin e shkuar, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar hulumtimin “Pyje për asfalt”, në të cilin theksohet se synimet për zhvillim ekonomik në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit kanë rritur kërkesën për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe për ndërtime të shumta, dhe se për plotësimin e këtyre nevojave, zhvillimi i aktiviteteve minerare, mes tyre edhe nxjerrja e gurit ishte e pashmangshme. Por një gjë e tillë, sipas këtij raporti ka bërë që industria mihëse të ndikojë në degradimin e mjedisit dhe përkeqësimin e shëndetit publik. Në raport ceket se në 17 raste, janë mihur mbi 431 hektarë prej të cilave mbi 125 hektarë pyje janë degraduar dhe përkundrejt kërkesave ligjore nuk janë rikultivuar. Ndërsa një vështrim i botuar muaj më parë nga EC Ma Ndryshe pat vënë në pah qëndrimin se gurthyesit si veprimtari e shpeshtë në Kosovë po janë kontaminues që po vënë në rrezik jetën e egër si dhe popullatat lokale, përderisa institucionet vazhdojnë që të japin leje, duke heshtur më pas rreth veprimtarisë degraduese të këtyre operatorëve. Edhe ankesat e banorëve që jetojnë në afërsi të këtyre gurthyesve kanë qenë të vazhdueshme dhe në shumicën e rasteve ato janë injoruar nga institucionet përgjegjëse. Raporti i ZKA-së paraqet një pikënisje drejt shtytjes së institucioneve përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve për përmirësimin e gjendjes aktuale, duke qenë se përfaqësuesit e institucioneve që kanë qenë pjesë e procesit të auditimit kanë shprehur gatishmërinë për t’i përgatitur planet e veprimit duke përcaktuar masat që do të ndërmerren, personat përgjegjës si dhe afatet kohore për zbatim të rekomandimeve. HumanRightivism Community Development Fund – CDF Embassy of Sweden in Pristina EC Ma Ndryshe