LAJME

Drejtori i Doganës viziton kompaninë “Frutex”, diskutojnë mbështetjen për eksportin dhe lehtësimin e proceseve për prodhuesit vendorë

Drejtori i Doganës viziton kompaninë “Frutex”, diskutojnë mbështetjen për eksportin dhe lehtësimin e proceseve për prodhuesit vendorë
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Prill 2026, 07:46

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, vizitoi kompaninë prodhuese “Frutex” në Suharekë, ku u prit nga menaxheri i kompanisë, Shaqir Palushi.

“Frutex është një nga operatorët e parë të autorizuar nga Dogana e Kosovës, duke përfituar lehtësira të rëndësishme në aktivitetet e saj në tregtinë e jashtme. Kompania renditet ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, me shtrirje të gjerë në tregun evropian dhe më gjerë.
Dogana e Kosovës është krenare që përmes këtyre lehtësirave ka kontribuar në krijimin e kushteve që mbështesin suksesin dhe rritjen e kompanive prodhuese vendore në tregjet ndërkombëtare” – thuhet në njoftimin e Doganës.

Sipas njoftimit, gjatë takimit, drejtori Llugaliu njoftoi Palushin për reformat e fundit të ndërmarra nga Dogana në procedurat e zhdoganimit, të cilat synojnë lehtësimin e proceseve për komunitetin tregtar.

Po ashtu, thuhet se ai dëgjoi nga afër vlerësimet dhe sugjerimet e Palushit lidhur me shërbimet që Dogana ofron për sektorin prodhues.

Siç bëhet e ditur, Palushi shprehu mirënjohjen e tij për efikasitetin dhe profesionalizmin e Doganës së Kosovës në mbështetje të aktiviteteve të kompanisë.

Ndërkaq, drejtori Llugaliu theksoi se Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me komunitetin tregtar, duke synuar zhvillimin e proceseve moderne dhe efikase, me kontrolle të zgjuara dhe sa më pak penguese për afarizmin – veçanërisht për sektorin prodhues, njofton Dogana e Kosovës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika